Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili e ka ndjekur nga stadiumi “Fadil Vokrri”, ndeshjen mes Kosovës dhe Irlandës së Veriut ku Kosova triumfoi me rezultat 3:2, tha që nëse lojtarët e Kosovës do vazhdojnë të luajnë kështu, do të na duhet një stadium më i madh.
Kurti në një intervistë të dhënë pas ndeshjes ekskluzivisht për Klan Kosova, tha që ka kohë që nuk kemi shijuar një fitore kaq të këndshme.
“Mund të themi që përveç se nuk kemi parë moti ndeshje më të bukur, edhe nuk kemi shijuar moti një fitore kaq të këndshme. Nuk është i mjaftueshëm kapaciteti i këtij stadiumi dhe nëse vazhdojnë kështu të luajnë me siguri që do të na duhet një stadium shumë më i madh”.
“Por, gjithashtu do kisha theksuar që loja e sotme ka treguar që Kosova ka një ekip të jashtëzakonshëm i cili nuk duhet të kënaqet më me pjesëmarrje, por do të korrë gjithnjë e më shumë fitore”, tha tutje Kurti.