Shqipëria U21 nuk ia ka dalë të bëjë surprizën përballë moshatarëve anglezë teksa në ndeshjen e vlefshme për Europianin 2023 është mposhtur në transfertë me rezultatin 3-0.
Kuqezinjtë rezistuan deri në fundin e pjesës së parë, teksa në një moment patën edhe fat ku shtylla i erdhi në ndihmë portierit Bruno Puja.
Megjithatë, në minutën e 45-të, Anglia kaloi në avantazh falë një goli të Balogun. Në fraksionin e dytë, sërish të besuarit e trajnerit Alban Bushi provuan të ndryshonin diçka, por që në fund rezultati ishte i njëjti pasi u ndëshkuan nga i njëjti autor në minutën e 66-të. Sakaq, britanikët nuk u ndalën dhe në minutën e 77-të ndëshkuan sërish, këtë herë nga Archer. Ndërkohë, një minutë më pas, për ta bërë edhe më të errët mbrëmjen, mendoi Dobra i cili la të tijtë me karton të kuq pasi koleksionoi dy të verdhë.
Pas kësaj disfate, situata për Shqipërinë U21 në Grupin G mbetet e njëjtë me kuqezinjtë që renditen të parafundit me vetëm nëntë pikë pas nëntë ndeshjeve të luajtura (3 fitore dhe 6 humbje). Nga ana tjetër, Anglia kryeson grupin me 22 pikë, ndërsa pjesë e këtij grupi është edhe Kosova, Republika Çeke, Sllovenia dhe Andorra.