Kombëtarja e Kosovës e nis me fitore Ligën e Kombeve

E ka nisur në mënyrën e duhur Kombëtarja e Kosovës aventurën në Ligën e Kombeve, teksa “Dardanët” arritën një fitore të pastër 2-0 në transfertë kundër Qipros, në ndeshjen e parë të Grupit 2 në Ligën C, ndeshje e zhvilluar në stadiumin “AEK Arena”.

Pas një pjese të parë të mbyllur pa shumë raste dhe pa shumë emocione, lojtarët e kombëtares së Kosovës shënuan dy herë në pjesën e dytë duke siguruar tri pikët e para të grupit.

Valon Berisha ka zhbllokuar takimin e luajtur në minutën e 65-të me një goditje të bukur nga jashtë zone ndaj së cilës portieri nuk mund të bënte asgjë.

Goli i sigurisë ka ardhur në minutën e 78-të dhe është realizuar nga Edon Zhegrova. Sulmuesi 23-vjeçar ka tundur rrjetën pas një aksioni shumë të bukur individual.

Kjo fitore, përveç entuziazmit që solli te tifozët, u përshëndet edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, i cili përmes një postimi në “Twitter”, përgëzoi Kosovën për fitoren e sotme kundër Qipros

 

Me këtë fitore, Kosova tani renditet në vendin e parë me tre pikë, ndërsa Qipro zë vendin e fundit në Grupin 2 të Ligës C.

Përveç Kosovës dhe Qipros, në Grupin 2, që kryesohet përkohësisht nga Dardanët, bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut me Greqinë. Ndeshja e dytë e Kosovës do të jetë 5 qershorin e ardhshëm kundër Greqisë.