Si mund të arrijë BE-ja një marrëveshje për të ndaluar blerjen e naftës ruse

Nga Tim Ross “Politico.eu”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Për gati një muaj, kryeministri hungarez Victor Orban po mban peng një plan për të goditur industrinë e naftës të presidentit rus Vladimir Putin me sanksionet e BE-së. Komisioni Evropian, së bashku me shumë vende anëtare, dëshiron të ndalë të gjitha importet e naftës ruse, për të ndërprerë fluksin e parave që arkëton Kremlini, dhe për ta detyruar Putinin t’i japë fund pushtimit të Ukrainës.

Por udhëheqësi hungarez thotë se nëse hiqet dorë nga karburantet, ekonomia e vendit të tij do të dëmtohet shumë rëndë. Për momentin perspektivat për një zgjidhje të shpejtë të kësaj mosmarrëveshje duken të pakta. Gjithsesi, diplomatët dhe zyrtarët në Bruksel po punojnë në prapaskenë për ta bindur Orban, duke shpresuar ende në arritjen e një marrëveshjeje të minutës së fundit që do të miratohet zyrtarisht për samitin e Këshillit Evropian që do të mbahet ditën e hënë. Sipas zyrtarëve që janë në brendësi të negociatave, ja cilat janë disa nga opsionet që janë paraqitur ditët dhe javët e fundit, në përpjekje për të arritur një kompromis me udhëheqësin më problematik të Bashkimin Evropian.

Kërkohet më shumë kohë

Qeveria e Orban ka thënë më parë se Hungarisë do t’i duhen 5 vjet për të përshtatur sistemet e saj energjetike me mungesën e naftës ruse. Plani fillestar i Komisionit Evropian, i publikuar më 4 maj, parashikonte një ndalim të importit të karburanteve ruse nga shumica e vendeve anëtare duke nisur nga fundi i këtij viti, por me një vit shtesë për Hungarinë dhe Sllovakinë.

Kur Orban e refuzoi këtë plan, KE i bëri një ofertë tjetër, duke i dhënë Hungarisë kohë deri në fundin e vitit 2024. Por as kjo nuk e zbuti qëndrimin e Budapestit. Ditët e fundit, negociatorët i janë rikthyer idesë së zgjatjes së mëtejshme të periudhës së tranzicionit për Hungarinë.

Më shumë para

Disa diplomatë ndihen të frustruar nga kërkesat gjithnjë e më të kushtueshme të Hungarisë. Më 12 maj, Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, tha se vendit të tij do t’i kushtonte rreth 700 milionë euro përshtatja e linjës së tubacioneve dhe e infrastrukturës së rafinerive me karburantet jo-ruse.

Katër ditë më vonë, kjo faturë u rrit midis 15-18 miliardë eurosh. Kjo shumë, tha ministri, nevojitet për të financuar një “modernizimin total të strukturës energjetike të Hungarisë”, dhe për të përballuar rritjen e çmimeve. BE-ja ka dhënë një fond prej 2 miliardë eurosh për investime në infrastrukturë për vendet më të goditura, dhe për t’i dhënë fund varësisë nga karburantet fosile ruse.

Edhe nëse do të ketë një marrëveshje, Hungaria përballet me një problem në marrjen e parave, pasi kjo ka të ngjarë të varet nga aftësia e qeverisë Orban për të luftuar korrupsionin dhe për të rivendosur kontrollet dhe ekuilibrat demokratikë.

Mund të ecet përpara edhe pa Orban

Hungarezët provokuan zemërimin e vendeve të tjera anëtare këtë muaj, kur kërkuan një përjashtim të plotë nga embargoja. Por duke folur në Davos, udhëheqësi irlandez Micheal Martin tha se BE-së mund t’i duhet në të ardhmen të jetë në gjendje të ecë përpara me sanksionet edhe pa mbështetjen unanime të 27 anëtarëve.

Për momentin, diplomatët janë në përgjithësi kundër kësaj ideje. Nëse 26 vende do të vazhdonin përpara dhe do të ndalnin përdorimin e naftës ruse pa Hungarinë, kjo do të ishte një goditje e dëmshme dhe tejet publike e konceptit të unitetit evropian, diçka që liderët e bllokut e vlerësojnë shumë. Fakti që tani po diskutohet hapur, tregon se sa përçarës është bërë debati mbi sanksionet ndaj Rusisë.

Ecje përpara edhe pa e ndalur blerjen e naftës ruse

Një tjetër opsion i propozuar në fillim të këtij muaji, ishte thjesht pezullimi për momentin i negociatave mbi ndalimin e blerjes së naftës ruse, dhe ecja përpara me pjesën tjetër të paketës së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Ato do të vendosin në shënjestër bankën më të madhe ruse, Sberbank, së bashku me më shumë individë të lidhur me Kremlinin, mediat propagandistike dhe operacionet e lobimit pro-Moskës.

Por disavantazhi i madh i kësaj qasjeje, është se do t’i shkaktonte një humbje serioze besueshmërisë së BE-së. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi pak ditë më parë kur propozoi “ndalimin e plotë” të naftës ruse, se një veprim i tillë do të ishte i vështirë, por duhet bërë. Çdo gjë më pak sesa ky akt, do të shihet si një shenjë e dobësisë kolektive të bllokut.

Një goditje kirurgjikale

Një tjetër opsion i mundshëm, mund të përfshijë një ndërhyrje më kirurgjikale për Budapestin. Kjo mund të përfshijë lejimin e blerjes së naftës ruse. Në fillim, Von der Leyen donte ndalimin e të gjitha importeve të energjisë ruse, përmes tubacioneve dhe anijeve.

Por fokusimi i sanksioneve mbi karburantet që vijnë në Evropë përmes transporti detar do t’i mundësonte Hungarisë, një vend pa dalje në det, të vazhdojë importimin e naftës së papërpunuar ruse përmes linjave ekzistuese. Kjo është diçka që ekipi i Orban e ka kërkuar më parë.

A janë palët pranë një marrëveshjeje?

Pikëpamjet ndryshojnë. Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian, së bashku me disa diplomatë dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë ende shpresë së një marrëveshje mund të arrihet deri në samitin e liderëve të BE-së që nis të hënën. Gjatë fundjavës do të zhvillohen bisedime të tjera midis diplomatëve dhe nëse ka vullnet politik, gjithçka është e mundur.

Por shumë të tjerë dyshojnë nëse negociatat do të përfundojnë me sukses. Dhe tek pesimistët bën pjesë edhe Von der Leyen. Ajo deklaroi për POLITICO këtë javë se nuk pret ndonjë zgjidhje në samitin e javës së ardhshme. Vetë Orban ka thënë se nuk dëshiron të flasë për sanksionet kur të ulet në një tryezë me liderët e tjerë të BE-së të hënën dhe të martën. /abcnews.al