Pas 19-vjetësh në transmetim dhe plot 3200 programe, mbrëmja e djeshme ishte e fundit për një prej ikonave të ekranit amerikan dhe programin e saj “The Ellen DeGeneres Show”.
Lajmin që programi do të mbyllej, komediania e njohur e konfirmoi vitin e kaluar në një intervistë për ‘The Hollywood Reporter’, por për arsyen tha se nuk kishte të bënte me audiencën.
“Kur je njeri krijues, duhet të sfidohesh vazhdimisht dhe ky show nuk është më sfidë për mua. Dy vjet më parë kam nënshkruar një kontratë edhe për tre vite të tjera dhe e kam ditur gjithmonë, në zemër, se sezoni i 19-të do të ishte i fundit. 19 është një numër i madh”, – tha Ellen ndër të tjera duke shtuar se vendosi që programi të mbyllej tani, sepse kuptoi që ‘tani është koha’.
Përballë Ellen, përgjatë 19 viteve janë ulur personazhe nga të gjithë fushat e jetës, personalitete si Barack Obama, Paul McCartney, Jennifer Garner, Channing Tatum, Serena Williams, Zac Efron, Adam Levine, Prinsloo, Kim Kardashian, Penelope Cruz, Britney Spears, Joe Biden, Meghan Merkle etj.
Në programin e saj të fundit, për ta mbyllur këtë rrugëtim të gjatë, Ellen zgjodhi çastin e parë kur e çeli programin. Në video, duket Ellen, pothuaj 20 vjet më e re dhe pas saj, Ellen sot. E përlotur, komediania kthehet të përshëndetë teleshikuesit e saj, pa folur, por duke thënë shumë më shumë sesa fjalët.