Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ku mes tjerash kanë biseduar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në veçanti në sektorin e turizmit.
Krasniqi ka shkruar në Facebook se e ka njoftuar edhe për punën dhe angazhimin e tyre pas themelimit të kabinetit për Qeverisje të Mirë, ku hapësirë shumë të rëndësishme i kanë dhënë agjendës së gjelbër dhe bashkëpunimit ndër-shqiptar.
“Duke qenë se kryeqyteti kulturor e historik i shqiptarëve – Prizreni, tashmë udhëhiqet nga PDK, dhe për shkak të afërsisë së tij gjeografike me Shqipërinë, diskutuam rreth formave të angazhimit të përbashkët në zhvillimin e mëtejmë të turizmit në këtë pjesë të vendit tonë.
Mirela, në secilin pozicion publik që ka mbajtur, ka qenë dhe është shembull i suksesit dhe bashkëpunimit dhe s’kam dyshim se angazhimi i saj për rritjen e shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve tona do të jap rezultate te prekshme”, ka shkruar ai.