Njëri prej futbollistëve më të mëdhenj shqiptar, Valon Behrami ka vendosur ti japë fund karrierës si futbollist aktiv, mirëpo edhe pse me një karrierë të bujshme, Behrami ka vendosur të pensionohet në heshtje.
Largimin e Behramit nga futbolli aktiv e ka bërë të ditur bashkëlojtari i tij te Brescia, Flavio Bianchi, të mërkurën nëpërmjet një postimi në “Instagram”.
“Doja t’i bëja homazhe Behramit, i cili ia dha lamtumirën futbollit të dielën. Një lamtumirë e heshtur, pa e vënë re askush. Dua ta falënderoj për personin e thjeshtë që është, i cili gjithmonë më ka ndihmuar shumë si në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj për sa i përket sjelljes dhe mentalitetit. Nuk dua të shkoj shumë larg, dua të them vetëm faleminderit edhe nëse për fat të keq nuk keni arritur ta keni lamtumirën në fushë ashtu siç do të kishte dashur. Faleminderit për gjithçka Valon, ishte kënaqësi të luaja me një lojtar dhe një njeri si ty qoftë edhe për pak kohë… fat të mirë për gjithçka miku im!”, ishte postimi prekës i sulmuesit Bianchi.
Behrami ishte pjesë e shumë klubeve të njohura evropiane si: Genoa, West Ham, Watford, Hamburg, Hellas Verona, Lazio, Fiorentina, Napoli, Udinese, Genoa e së fundmi Brescia.
Edhe pse ka vendosur ti japë fund karrierës së tij, sipas raportimeve nga mediet italiane Behrami nuk do të largohet nga futbollit.
Ai do të vazhdojë punën si drejtor sportiv te klubi i Veronës, thuhet në raportimet e mediave italiane.
Behrami më herët pati bërë të ditur se ka nisur mësimet për t’u pajisur me licencën e trajnerit duke thënë se synimi i tij pas largimit të futbollit është të vazhdojë me këtë zeje.