Biden tha se do të mbrojë Tajvanin me çdo kusht, reagon Kina: Askush të mos nënvlerësojë popullin kinez

Kina ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, i cili u zotua nga Tokio se do të mbrojë me çdo kusht Tajvanin, duke mos përjashtuar ndërhyrjen ushtarake, në rast të sulmeve kineze.

Pekini i bëri thirrje presidentit amerikan të mos nënvlerësojë vendosmërinë e Kinës.

Pas përfundimit të Luftës Civile në Kinë në 1949, .Tajvani drejtohet nga një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Lexo edhe: SHBA garant për sigurinë e Japonisë, Biden: Do të ndërhyjmë ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin nga sulmet kineze

Pekini ka ende shpresa të “ribashkojë” ishullin me “atdheun mëmë”.

Për këtë arsye Biden nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës, veçanërisht nëse autoritetet tajvaneze e shpallin zyrtarisht ishullin të pavarur.

Biden konfirmoi sot nga Tokio se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë ushtarakisht Tajvanin nëse Pekini pushton ishullin.

“Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e fortë, vullnetin e fortë dhe aftësinë e fortë të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin e tyre kombëtar dhe integritetin territorial ”, tha Wang Wenbin, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në përgjigjen e tij ndaj Bidenit.

“Ne i bëjmë thirrje me forcë Shteteve të Bashkuara që të përmbahen nga dërgimi i mesazheve të rreme për forcat separatiste në Tajvan,” shtoi ai.

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Tajvanit falënderoi sot Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre.

Ministria tha se mirëpret dhe falënderon Biden dhe qeverinë amerikane për riafirmimin e angazhimit të tyre ndaj Tajvanit, duke shtuar se qeveria e ishullit do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj dhe të thellojë bashkëpunimin e saj me vende si SHBA dhe Japonia për të mbrojtur sigurinë e saj./abcnews.al./