Izraeli thotë se nuk do të hapë hetim penal për vrasjen e gazetares Abu Akleh (VIDEO)

“Nuk kishte nevojë të hapej hetim i Policisë Ushtarake në këtë fazë”, thuhet në një deklaratë të ushtarisë izraelite, cituar nga e përditshmja hebreje Jerusalem Post

Ushtria izraelite tha sot se nuk do të hapë hetim penal për vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, e cila humbi jetën pasi u qëllua me plumb në kokë gjatë mbulimit të një sulmi izraelit në një kamp refugjatësh në qytetin palestinez të Xhenin, transmeton agjencia turke Anadolu.
“Nuk kishte nevojë të hapej hetim i Policisë Ushtarake në këtë fazë”, thuhet në një deklaratë ushtarake izraelite, cituar nga Jerusalem Post.

Deklarata thotë se nuk ka “asnjë dyshim të vërtetë për akte kriminale” në vrasjen e Abu Akleh-s, duke shtuar se hetimi i përkohshëm i ushtrisë nuk mund të përcaktojë nëse ajo u vra nga të shtënat izraelite apo palestineze.

Zhvillimi vjen megjithse komuniteti botëror u shokua nga vrasja në dukje me snajper e gazetares së veshur me simbolet e shtypit në jelek dhe me helmetë në kokë.

Më 11 maj, 51-vjeçarja Abu Akleh, po raportonte për bastisjen ushtarake izraelite pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, kur u qëllua për vdekje. Zyrtarët palestinezë dhe rrjeti për të cilin punonte, Al Jazeera, thanë se ajo u vra nga forcat izraelite.

Ministria e Jashtme palestineze e denoi vendimin dhe e konsideroi Izraelin plotësisht përgjegjës për vrasjen.

Shumë qeveri, grupe të të drejtave dhe organe të shtypit kanë kërkuar një hetim transparent për vrasjen e gazetares veterane palestineze.

Një tjetër tronditje sollën dhe pamjet e shoqërimit të trupit të saj jashtë spitalit në Jeruzalem ku policia izraelite nisi të sulmonte mbajtësit e arkivolit duke i goditur në këmbë me shkopinj gome, derisa në një pikë arkivoli i të ndjerës u ra nga duart.