Policia në Shqipëri arrestoi 18 persona të enjten në një operacion në tërë territorin e saj në përpjekje për të shpërbërë grupe kriminale. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuza prej tentim-vrasjes e deri prodhimi i armëve dhe mjeteve shpërthyese dhe armëmbajtjeve pa leje, transmeton REL.
Të arrestuarit supozohet se janë pjesë e ndërmarrjeve t përbashkëta kriminale.
Këto arrestime janë gjysma e fletë arresteve të lëshuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (SPAK). Policia është në kërkim edhe të 14 të akuzuarve të tjerë për veprimtari kriminale.
Sipas kreut të SPAK, Arben Kraja, ky operacion do të vazhdojë deri sa të gjithë të akuzuarit të dalin para drejtësisë.
“Do t’i shkojmë deri në fund këtij operacioni dhe goditjes së grupeve kriminale në Shqipëri, për një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët”, tha Kraja.
Aksioni është shtrirë në qytetet e Elbasanit, Durrësit, Tiranës dhe Lezhës.
Shqipëria shpeshherë është parë si peng i këtyre personave të përfshirë në krim të organizuar, duke e lënë atë vendin më të pazhvilluar dhe më të varfër në Evropë.
Sipas Departamentit amerikan i Shtetit në raportin e vitit 2021 për Shqipërinë, thotë se vendi ka korrupsion dhe krim të organizuar të përhapur në të gjithë shtetin.
Indeksi Global i Krimit të Organizuar e radhitë Shqipërinë në vendin 61 nga 193 shtete ku është kryer hulumtimi, në vendin e 9-të nga 44 shtete në Evropë dhe të gjashtën nga 17 vendet në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Sipas këtij hulumtimi, ambienti kriminal i Shqipërisë dominohet nga rrjete kriminale të mbivendosura dhe aktorë të stilit mafioz-familjar.
Raporti thotë se rrjetet kriminale shqiptare janë të përfshira në trafikun e drogës, veçanërisht në tregtinë e kanabisit.