Izraeli, jo më pasaportë vaksinimi. Australia hap kufijtë

Pavarësisht shtrimeve rekord në spitale nga koronavirusi, Izraeli vendosi të anullojë urdhrin për pasaportën e vaksinimit.

Që prej ditës së sotme, izraelitët duhet të vërtetojnë përmes certifikatës së gjelbër se janë vaksinuar apo shëruar nga sëmundja vetëm atëherë kur i duhet të marrin pjesë në ngjarje të mëdha, sic janë dasmat.

Nga ky moment, kushdo mund të shkojë në restorante, kinema, hotele etj, pa qenë nevoja e paraqitjes së një testi negativ të koronavirusit.

Lehtësimet vijnë pavarësisht faktit që më shumë se 1,200 persona të infektuar me koronavirus janë nëpër spitale, shifra më e lartë që prej shpërthimit në pandemisë, në këtë shtet me 9.4 milionë banorë.

Sakaq, Australia ka njoftuar për të parën herë në gati dy vjet se do të rihapë kufijtë e saj për turistët e vaksinuar dhe personat tjerë që kanë viza.

“Nëse jeni të vaksinuar plotësisht, ju presim të riktheheni”, deklaroi kryeministri, Scott Morrison.

Rihapja e vendit do të ndodhë në 21 shkurt. Ajo po pritet me padurim nga shumë sektorë, pasi Australia ishte një prej shteteve që ka zbatuar disa prej masave më të rrepta kufitare gjatë pandemisë së koronavirusit.

Qeveria i mbylli kufijtë marsin e vitit 2020, dhe shumicës së të huajve iu ndalua hyrja në kuadrin e luftës kundër pandemisë.