Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton opinionin se gjatë ditës së djeshme, përmes një dërgese, që ka arritur përmes postës së Manastirit më 17.01.2022 në ora 10:26, ka marrë kërcënim për jetë.
Dërgesa është shkruar në gjuhën maqedonase dhe angleze. Kërcënimi ka të bëj me një lëndë penale konkrete, procedura ndaj së cilës ka përfunduar në dhjetor të vitit 2021, shkruan Alsat.
Kërcënimi, siç thuhet në letër, është nga një organizatë terroriste e cila lufton dhe vret për padrejtësi dhe se anëtarët e saj janë të gatshëm të flijohen për qëllime të organizatës.
Prokurori Publik i republikës së Maqedonisë së Veriut thekson se janë të kota kërcënimet e këtilla dhe me këtë rast nënvizon se kërcënimet, madje kur janë edhe për jetë nuk do ta lëkundin në zbatimin e ligjeve dhe në veprimet profesionale të Prokurorisë Publike.
Dërgesa është dorëzuar në Ministrinë e Brendshme për shkak të hetimit të përmbajtjes dhe personit që e ka dërguar.