Seanca ndërqeveritare mes dy shteteve në Sofje duhet të japë efekt pozitiv muajt në vijim, thotë analisti politik, Albert Musliu.
Të dy palët, sipas tij, patën një retorikë të kontrolluar dhe pozitive pas takimeve, ndërkaq një tempo e këtillë pritet ta zhvendos Bullgarinë nga pozicioni bllokues në vend përkrahës në aspiratat eurointegruese të vendit, vlerëson Musliu.
“Realisht vet takimi dhe narrativin që përdorën të dy palët ishte shpresëdhënës dhe mendoj se është një periudhë kur ato përplasjet që i kishim në Bullgari gjatë periudhës së zgjedhjeve do të zbuten, ndërsa komisionet e formuara me përbërje prej ministrave, do t’i japin një shtytje më të madhe gjithë procesit, zbutjes së marrëdhënieve. Plotësuese është edhe fakti se edhe dy kryeministrat kanë narrativ më të butë të koordinuar, që asnjëra palë të mos jetë e lënduar, edhe ky kompromis të jetë fitimprurës për të dy palët.”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Kërkesat bullgare, Osmani dhe Petkov të premten japin hollësi
Për hollësitë e mbledhjes ndërqeveritare dhe për përgjigjen e shtetit ndaj kërkesave bullgare, të premten ministri i jashtëm, Bujar Osmani, do të raportojë në komisionin për punë të jashtme në kuvend. Po ashtu edhe kryeministri bullgar Petkov, në të njëjtën ditë do të përgjigjet para opozitës bullgare për rezultatet e arritura nga mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Bullgarisë dhe RMV-së.
Dy delegacionet e shtetit dolën të kënaqur nga takimet në Sofje dhe me optimizëm për hapje të një kapitullit të ri në raportet mes dy vendeve. Memorandumet e nënshkruara, aktivitetet, planet dhe projektet e hartuara nga komisionet, i quajtën nisma të bashkëpunimeve të reja, duke i kualifikuan si mjet për përmirësimin e dialogut politik mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.