Ligji për qeverinë me të cilin propozohet shfuqizimi i qeverisë teknike nuk u vendos në rend dite në seancën plenare të Kuvendit. Sipas sqarimit të kreut të Kuvendit Talat Xhaferi, propozimi i opozitës është duke u përkthyer nga shërbimet. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se vonesa në përkthim është e qëllimshme që ligji të mos shqyrtohet në seancën e sotme. Sipas partisë opozitare, propozimi synon para se gjithash kthimin e afateve më të shkurtra për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Vlerësojmë se me këto dispozita, nga ajo që rezultoi nga negociatat e përbashkëta në takimin e liderëve mes kreut të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së dhe në bazë të asaj që është deklaruar edhe LSDM-ja se qeveria teknike është jofunksionale, dhe në bazë të asaj që kemi biseduar edhe me partitë e tjera politike, si grup parlamentar i VMRO-DPMNE-së e dorëzojmë këtë propozim-ligj me procedurë të shkurtuar me arsyen e vetme, të shkurtohen, gjegjësisht të kthehen afatet në përputhje me afatet kushtetuese, gjegjësisht për riorganizimin e zgjedhjeve afati të mbetet siç ka qenë, 45 deri 60 ditë”, deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Kreu i Kuvendit Xhaferi tha se do të presë që në propozim të firmosin edhe partitë e tjera, nëse ai është rezultat i një konsensusi siç pretendon opozita.
“Sigurisht, në koordinim dhe bisedime do të arrihet që edhe koordinatorët e tjerë të kyçen në nënshkrimin e atij propozimi kështu që nuk janë plotësuar parakushtet që të vendoset në votim. Sa i takon afateve, as në ligj dhe as në Kushtetutë nuk ekziston afat 45 ditor as për zgjedhje parlamentare dhe as për zgjedhje të tjera, përveç për rizgjedhje të presidentit në afat prej 40 ditësh nëse presidentit para kohe i ndërpritet funksioni”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Aleanca për Shqiptarët është kundër heqjes së modelit të Qeverisë teknike sepse, sipas tyre, institucionet nuk kanë arritur të kthejnë besimin për organizimin e zgjedhjeve të drejta.
“Ne si Aleancë për Shqiptarët jemi kundër këtij propozimi sepse me këtë propozim synohet goditja e Marrëveshjes së Përzhinës. Kjo marrëveshje u soll me qëllim të zgjidhjes së krizës politike dhe mendojmë se kjo marrëveshje nuk e ka arritur qëllimin e saj për të cilin u soll. Qëllimi ishte një dhe vetëm një; çkapja e shtetit nga ana e pushtetit; pamundësia e pushtetit që të shfrytëzojë shtetin për nevoja elektorale”, u shpreh Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Për shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike pajtohet edhe LSDM-ja por ajo është e bindur se opozita këtë e bën këtë në këmbim të zgjedhjeve të shpejta. BDI-ja po ashtu mbështet shfuqizimin e këtij modeli por kërkon konsensus.