Ekspertët: Situata në Ukrainë të ndiqet më vëmendje, autoritetet të mos japin deklarata të përshpejtuara
Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë me vëmendje situatën në kufirin e Ukrainës dhe duhet të jetë e kujdesshme me qasjen e saj ndaj kontestit Ukrainë-Rusi, shkruan Alsat.
Kështu vlerësojnë ekspertët, të cilët shtojnë se shpërthimi eventual i konfliktit ushtarak mes dy vendeve, mund të ketë ndikim indirekt edhe në vendin tonë. Ish-Ambasadori Vasko Naumovski në Uashington thotë se vendoi jonë duhet të fokusohet tek ruajtja e sovranit.
“Mendoj se Maqedonia nuk duhej të ndërmarrë hapa me të cilat do të rrezikohej edhe siguria jonë edhe pse kjo nuk do të mund të ndodh në këtë kontekst. Vetë situata në fqinjësinë e Ukrainës nuk do të mund të ndikojë drejtpërdrejtë, ajo ku duhet ne të fokusohemi është përforcimi i forcave të tona të sigurisë dhe zbatimin e rolit themelor të tyre siç është ruajtja e sovranitetit dhe rreziku i drejtpërdrejtë. Nuk besoj se përplasja eventuale e Ukrainë-Rusi do të jetë rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, tha Vasko Naumovski, ish-ambasador.
Megjithatë, analisti Ismet Ramadani, vlerëson se është tepër me rëndësi si do të sillemi edhe ne si shtet anëtar i NATO-s. Ai shton se jemi dëshmitar që Rusia po zhvillon një politikë agresive edhe në Ballkan, e cila është e instaluar edhe në Serbi, ndërsa ka ekspozitura edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Edhe këtu në Maqedoni ka disa ekspozitura të tyre në disa parti të vogla të cilat nuk e fshehin, dalin edhe me flamur të Rusisë. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm të mbeten ata në margjina dhe mos të depërtojnë në partitë politike më të mëdha, sepse atëherë rreziku është se mund të vihet deri tek ndonjë konfrontim i brendshëm këtu në Maqedoni për të dëshmuar se NATO-ja nuk është ajo që e siguron sigurinë e brendshme të shtetit”, u shpreh Ismet Ramdani, analist.
Por ish-ambasadori i Maqedonisë në Rusi, Risto Nikovski komenton deklaratën e ministres së Mbrojtjes, të cilën e quan si të përshpejtuar, duke theksuar se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s.
“Mendoj se e përshpejtuar ishte deklarata e ministres së Mbrojtjes se Maqedonia do të merrte pjesë në një përplasje eventuale në Ukrainë. Maqedonia edhe pse është anëtare e NATO-s, nuk duhet të përzihemi në probleme të tilla posaçërisht kur Ukraina nuk është anëtare e NATO-s”, theksoi Risto Nikovski, ish-ambasador.
Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrova ditë më parë deklaroi se Maqedonia mbështet përpjekjet e NATO-s në Kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë duke e cilësuar provokim radhitjen e forcave ruse në kufi. Ndaj kësaj deklarate të Petrovës ka reaguar ambasada ruse në vendin tonë. /Alsat.mk