Shtabi i Krizave ka miratuar rekomandimin e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, i cili propozoi shkurtim të periudhës së izolimit nga 10 në 7 ditë, për personat pozitiv me Kovid19, shkruan Alsat.
Rekomandimi është dorëzuar deri në Qeveri dhe duhet të diskutohet në seancën e ardhshme. Autoritetet njoftojnë se një rekomandim i tillë i KSI-së vjen për shkak se lloji Omikron i virusit korona shkakton pasqyrë më të lehtë klinike krahasuar me mutacionet e mëparshme të virusit.
Ndërkohë izolimi i kontakteve me personat e infektuar ende zgjat 14 ditë, megjithatë kjo nuk vlen për personat e vaksinuar me dy doza. Për dallim nga Maqedonia e Veriut, në shumicën e shteteve të rajonit izolimi i kontakteve është ulur në 5 ditë. Në fillim të pandemisë, izolimi në disa shtete zgjaste madje deri në 28 ditë, ndërkaq tani thuajse të gjitha shtetet e botës këtë prag e kanë ulur në 5 dhe 7 ditë. Megjithatë ende nuk është dëshmuar shkencërisht se sa ditë një person pozitiv me korona mund të jetë bartës i virusit.
Disa studime tregojnë se një e treta e personave me Kovid19, ditën e pestë pas paraqitjes së simptomave apo testit pozitiv ende rezultojnë të infektuar. Në disa raste, edhe pas marrjes së testit negativ pacienti mund të jetë shpërndarës i virusit disa ditë. Disa ekspertë britanik vlerësojnë se personat të cilët kanë Kovid19 e shpërndajnë virusin nga 2 në 10 ditë nga paraqitja e simptomave. Megjithëse variant i fundit Omikron është shumë herë më shpërndarës se mutacionet e tjera, ai nuk shkakton pasqyrë të rëndë klinike dhe bazuar në këtë ekspertët parashikojnë se Omikron jep sinjale pozitive për fundin e pandemisë. Një ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se faza akute e pandemisë mund të përfundojë këtë vit. Ekspertët po ashtu parashikojnë që pandemia të kalojë në endemi, dhe Covid19 të bëhet sikur gripi stinor, ndërsa vaksina kundër virusit korona të bëhet vaksinë e cila do të duhet të merret çdo vit për mbrojtje kundër infektimit./Alsat.mk