Një mik ia referoi mikut tjetër, përfitoi – skema e rritjes së BigCommerce+?

Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet e rajonit që më së shumti kanë investuar në skemën piramidale online BigCommerce+.

Se pse ndodhi kjo, Isa Fida dhe Llokman Musliu treguan në ClickPlus në TV21.

Fida thotë se kjo ka ardhur nga fakti se në fillimet e saja, njerëzit patën përfitim nga investimi në BigCommerce+. Një mik më pas ia ka referuar një miku tjetër, kështu duke marrë përqindje përfituese në portofolin online të tij.

“Është futur një njeri. Janë futur dy, tre, pesë, dhjetë… dhe ka shkuar është bërë virale. Ata, në fillim që janë futur, ndoshta kanë fituar. Ka futur 100 euro, e ka nxjerr fitimin brenda 20 ditëve të para dhe ja ka referuar një miku. Kështu, ai ka fituar edhe më shumë në investimin edhe si referim. Nëse ai ka hedhur edhe lekë, ka fituar edhe më shumë”, sqaron Fida.

“Unë, për të referuar dikë duhet t’i dërgoj link regjistrimi. Në momentin që X personi regjistrohet me numrin tim të referimit, është referencë e imja”, tha Musliu.

Thotë se kjo skemë ka ekzistuar që nga viti 2000. Nga çdo referim, personat kanë fituar përqindje të caktuar. Megjithatë, shton se produktet kanë qenë reale.

“Gjenialiteti (i BigCommerce+) qëndron në atë se ka përdorur kriptot. Do të thotë të gjitha pagesat janë bërë në mënyrë anonime. Siç e përmendi edhe Isa Fida, është e pamundur të gjejmë se ku kanë përfunduar të hollat”, tha Musliu më tej.