Vetëm disa ditë para seancës së përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila duhet të mbahet të martën më 25 janar në Sofje dhe në të cilën duhet të përcaktohen grupet e punës për bashkëpunim me Bullgarinë, pala maqedonase dje i formoi këta trupa.
Për bashkëkryesues të këtyre grupe janë emëruar zëvendëskryeministra dhe ministra të dikastereve përkatëse, kurse në to do të marrin pjesë edhe përfaqësues të ministrive përkatëse. Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se pret që këto grupe pune t’i përafrojnë të dyja vendet, por sa i takon arritjes së një marrëveshjeje, thotë se nuk duhet nxituar.
“Duhet shpejt të arrijmë zgjidhje, megjithatë assesi nuk duhet të shpejtojmë, andaj po them se afatet i kam në plan të dytë, na duhet zgjidhje cilësore ku do të ruhet dinjiteti i qytetarëve maqedonas dhe qytetarëve bullgarë që do të sillet në frymën e vlerave evropiane sipas rregullave të BE-së, atëherë mund të themi se kemi zgjidhje”, tha Kovaçevski.
Një prej grupeve të punës do të jetë për avancimin e ekonomisë mes dy vendeve. Ministri Bekteshi thotë se shumë lehtë do të harmonizohen me Bullgarinë në sferën e ekonomisë.
“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, do të shkojmë të hënën dhe të martën te fqinji ynë, Republika e Bullgarisë, me propozime konkrete, marrëveshje konkrete dhe memorandume që do t’i nënshkruajmë. Do ta dëgjojmë edhe palën tjetër me propozimet e tyre dhe me shumë gjasa në pjesën e ekonomisë shumë lehtë mund të harmonizohemi”, deklaroi Kreshnik Bekteshi.
Kryeministri bullgar Kirill Petkov të martën gjatë vizitës në Shkup, tha se nuk do të humbet kohë duke paralajmëruar përpilim të planit me arritjet reale që duhet të realizohen në 6 muajt e ardhshëm. Ai e theksoi nevojën për linjë hekurudhore dhe linjë të drejtpërdrejtë ajrore Shkup -Sofje.