Pensionistët do të përfitojnë 2.9 për qind pensione më të larta të janarit, sipas rritjes së përcaktuar me ligj. Kjo do të thotë se për një pension prej 11 mijë denarësh, pensionistët do të marrin 320 denarë pension më të lartë, ndërsa pensioni mesatar prej 15.900 denarë do të jetë më i lartë për 460 denarë..
Nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor thonë se janë duke u bërë përllogaritjet dhe se këtë muaj qytetarët do të kenë pagesë të parakohshme të pensioneve.
“Sipas harmonizimit ligjor me koston e jetesës, pensionet e janarit do të rriten me 2.9%. Sipas harmonizimit të ri, pensioni mesatar do të rritet për 460 denarë dhe do të jetë 16.336 denarë. Në dhjetor 2021, pensioni mesatar ishte 15.876 denarë”, njoftojnë nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor.
Por nga Partia e Pensionistëve presin rritje të mëtejshme të pensioneve pavarësisht rritjes ligjore. Ata tash e një vit janë në negociata me Qeverinë dhe gjatë këtyre 10 ditëve do të kërkojnë ndryshimin e modelit të përllogaritjes së pensioneve. Sipas tyre, pensionet do të rriten në përputhje me rritjen e pagave minimale dhe mesatare, e jo vetëm të merret parasysh kosto e jetesës.
“Opsioni i parë është përshtatja e pensioneve me 1 janarin dhe 1 korrikun sipas kostos së jetesës dhe rritjes së pagës mesatare. Variacioni i dytë është të qëndrojë në rast se paga minimale është më e lartë se 15 për qind dhe mesatarja 5 për qind, qeveria mund të marrë vendim për harmonizim. Në dhjetë ditët e ardhshme presim të gjejmë një model për rritjen e pensionit”, deklaroi Ilija Nikolovski – Kryetar i Partisë së Pensionistëve.
Në vend numërohen rreth 330 mijë pensionistë. Sipas statistikave, 27 për qind prej tyre kanë pension deri në 11 mijë denarë, ndërsa 23 për qind marrin pension nga 11 deri në 14 mijë denarë.