Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se sot policia ka sekuestruar 30 kilogramë peshk të freskët te një shtetas shqiptar në rrugën e vjetër Ohër – Strugë, në afërsi të vendit të quajtur ”Sateska”.
Zëdhënësi i SPB-Ohër, Stefan Dimoski informoi se peshku është gjetur në një veturë të tipit ”Opel Zafira” me targa të Shqipërisë.
”Gjatë kontrollit të realizuar të automjetit ‘Opel Zafira’ me targa të Shqipërisë, i drejtuar nga J.A. (52), shtetas i Republikës së Shqipërisë, te vendi Sateska, në afërsi të Strugës, ishin gjetur dhe sekuestruar edhe 265 pjesë peshk i freskët, me peshë të përgjithshme prej rreth 30 kilogramëve. Peshku ishte ruajtur në hapësirën e bagazhit të automjetit”, ka thënë Dimoski.
Sipas tij, kundër J.A. do të parashtrohet aktakuzë adekuate.