Kryetari i LSDM-së dhe mandatar për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, Dimitar Kovaçevski ju bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi siç tha, në këtë mënyrë i ndihmojnë vetes por edhe të gjithë të tjerëve veçanërisht personelit shëndetësor si edhe ekonomisë në përgjithësi. Megjithatë, përmendi se ai nuk është për zgjidhje me presion pasi vlerëson se duhet edhe opinioni publik të respektohet.
“Unë do të doja t’i stimuloj qytetarët të vaksinohen, pasi vaksinimi mbron që simptomat e virusit të jenë në nivel më të ulët. Në këtë mënyrë ata nuk e ndihmojnë vetëm veten, por i ndihmojnë edhe të tjerët veçanërisht personelin shëndetësor i cili nuk do të jetë aq i ngarkuar, megjithatë edhe ekonomisë në tërësi, pasi nëse dëshirojmë të na funksionojë ekonomia pa masa restriktive, pa mbylljen e kapaciteteve prodhuese, duhet secili prej nesh të jetë i vetëdijshëm se përmes vaksinimit duhet të ndihmojmë me shembull personal”, tha Kovaçevski në emisionin Top Tema në TV Telma.
Përmendi se nuk pranon zgjidhje me presion pasi vlerëson se duhet edhe mendimi publik të respektohet, por siç tha, duhet të ketë vetëdije se përmes vaksinimit kemi simptoma më të lehta lidhur me llojin delta dhe omikronin.
Lidhur me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe i cili largohet nga funksioni, Kovaçevski tha se ai ka luajtur rol të madh në këtë krizë, dhe se në mënyrë shumë të koncentruar dhe të qetë e ka udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë.
“Unë më duhet t’i shpreh respekt të gjithë të punësuarve në sistemin shëndetësor në vend, për sakrificën 24-orëshe në dy vitet e kaluara. Dy vite sistemi punon në kushte të pandemisë, për atë qëllim edhe shteti ndau mjete si në rritjen e rrogave, ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor”,tha Kovaçevski.
Ai shtoi se ka biseduar me Filipçen për të cilin siç tha, është tërësisht në disponim për Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe ministrit të ri.
“Me Filipçen biseduam, ai është tërësisht në disponim të Ministrisë, sepse është njeri i ndërgjegjshëm, e gjithashtu do të jetë edhe në disponim të ministrit të ri të Shëndetësisë. Çdo këshillë është e mirëseardhur posaçërisht nga dikush që ka kaluar dy vite në kushte të pandemisë. Kam mendim të lartë edhe për dr. Bekim Saliun si njeri i cili mund të merret me këtë problematikë, por edhe si përgjegjës të pranojë këshillë nga ata të cilët kanë përvojë”, shtoi Kovaçevski.