Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Këshillit për siguri kombëtare ka porositur se Maqedonia e Veriut nuk e ka realizuar atë çfarë është e nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017 dhe se nuk ka garantuar që do të përmbush detyrimet nga e njëjta.
“Dhënia e pëlqimit për fillim të negociatave për anëtarësim në BE të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk duhet të jetë e lidhur për afatet, por me rezultate reale, përfshirë edhe në raport të të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë. Ne asnjëherë nuk kemi mohuar dhe nuk do ta mohojmë të drejtën e qytetarëve të RMV-së të përcaktohen në bazë të vetëdijes vetanake dhe t’i ruajnë gjuhët në përputhje me Kushtetutën. Bullgaria ruan barazinë e tërësishme të bullgarëve të Maqedonisë me kombet tjera në RMV. Politika e diskriminimit të bullgarëve të Maqedonisë, 120.000 njerëz, gjatë kohë ka eskaluar”, tha Radev.
Presidenti bullgar potencoi se të drejtat e bullgarëve të Maqedonisë janë pika kyça e kriterit të Kopenhagës për anëtarësim në BE për të cilat nuk mund të negociohet, kurse sipas tij, është e nevojshme një aksion gjithëpërfshirës për resurse që të kthehet besimi dhe të fuqizohet bashkëpunimi. Radevi konsideron se e rëndësisë së veçantë janë projektet për sigurim të infrastrukturës digjitale dhe transportuese, me theks Korridorin 8, transmeton TV21.
Në mbledhjen e Këshillit siç deklaroi Radev janë dhënë rekomandimet si:
Gjatë vendosjes së politikës së brendshme, Këshilli Ministror të mbajë llogari për pozitën kombëtare të Bullgarisë, duke respektuar kërkesat e Marrëveshjes së vitit 2017, Kornizën nga viti 2019 dhe Deklaratën e 44-të të Kuvendit Kombëtar.
Dhënia e pëlqimit për fillim të negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut në BE nuk duhet të lidhet për afate, por me rezultate reale, veçanërisht në raport me bullgarët e Maqedonisë.
Pushteti ekzekutiv të vazhdojë të angazhohet për njoftimin për realizimin e Marrëveshjes nga viti 2017 në procesin negociues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.
Pushteti ekzekutiv të përgatisë dhe sigurojë plan aksionar për masa për arritjen e një përparimi të dukshëm në të gjitha fushat në raportet bilaterale.
Pushteti ekzekutiv t’u propozojë partnerëve të RMV-së formimin e grupeve të punës në fushat në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017.
Pushtetet ekzekutive të ndërmarrin masa për përshpejtim të ndërtimit të Korridorit 8 bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – si projekt i vetëm për autostradat, hekurudhat, lidhjet energjetike dhe digjitale.
Kuvendi kombëtar duhet t’i propozojë trupit ligjvënës të Maqedonisë së Veriut vendosjen e dialogut të strukturuar ndërmjet grupeve për miqësi dhe komisione parlamentare, me të cilat do të përforcohej besimi dhe do të mbështetej procesi gjithëpërfshirës.