Viti që lam pas nuk i shpëtoi edhe rasteve të ndryshme gjyqësore, e njëri prej tyre është edhe rasti “Monstra”. Mbrojtja e palës vazhdon të deklarojë se në prokurori ka përgjime të pa publikuara në procesin gjyqësor dhe se procesi I rigjykuar, nuk pati diçka të re nga ai paraprak.
Zv/ministri i drejtësisë Agim Nuhiu thotë se dikasteri i tij i merr për bazë këto shqetësime, por mjetet e provave adresohen në organet hetuese, gjegjësisht në prokurori.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka ndonjë kompetencë sa i përket ndërmarrjes së veprimeve procedurale edhe në stadiumin e seancës për shqyrtim kryesor të çështjes, përkatësisht në stadiumin ku duhet të shqyrtohen provat. Megjithatë, çdo fakt i cili provohet mbi bazë të një prove të rrejshme, qoftë deklaratë e rrejshme e dëshmitarit, qoftë prezantimi i rrejshëm i video inçizimeve apo mendimit të gabuar të ekspertit apo cilësdo provë tjetër nga pesë provat që i njeh ligji për procedurë penale, do të paraqesin bazë të mjaftueshme për përsëritjen e procedurës.”, tha Agim Nuhiu, zv/ministër i drejtësisë.
Aktualisht, pas ankesave të mbrojtjes, lënda “Monstra” ndodhet në gjykatën e Apelit.