Gripi stinor ka marr hov, spitalet të mbushur me fëmijë

Gazetar: Vjollca Aliti

Rritje e madhe e numrit të të prekurve gripi stinor, sidomos i fëmijëve. Vetëm brenda javës së shkuar 190 fëmijë të moshës nga 0-14 vjeçare janë prekur nga gripi. I lartë është numri edhe i të prekurve nga COVID 19. Nga Spitali I Kozles, i cili është edhe qendër Kovid për fëmijë thonë se në bazë ditore kontrollojnë mbi 50 fëmijë me simptoma të gripit dhe të koronës, ndërkaq çdo ditë në spital përfundojnë nga 3-4 fëmijë. Pacienti më i ri është një foshnje katër muajsh me virusin korona. Mjekët thonë se akoma nuk kanë informacione të sakta nëse fëmijët janë me llojin Omikron apo me Fluron që është kombinim i gripit stinor dhe virusit Korona, pasi simptomat janë skajshmërish të ngjashëm.

“Gjatë 5-6 ditëve të fundit numri i kontrolleve është rritur, kemi diku rreth 50 kontrolle në ambulanca prej të cilëve sigurisht 3-4 i shtrojmë në spital. Gjatë vitit të ri kishim vetëm 6 fëmijë të shtruar në spital me Kovid19, tani kemi 25 fëmijë të shtrirë në Spitalin tonë ndërsa ka tendencë për rritje edhe më të madhe si të shtruarve në spital ashtu dhe të kontrolleve në ambulanca. Simptomat e fëmijëve janë temperaturë e lartë – gjendje fibrile dhe kollitje”, deklaroi Elena Ginovska Tasevska, Specialist pediatër në Spitalin e Kozles.

Nga 27 dhjetori e deri më 2 janar, në Maqedoni janë regjistruar 565 raste të reja me grip dhe sëmundje tjera të ngjashme me gripin te popullata nga 0 deri në 64 vjeç. Këto të dhëna janë 10,1 herë më të larta se një vit më parë, ndërsa në krahasim me 10 sezonet e kaluara epidemiologjike ky numër reflekton të jetë 2 herë më i madh.

“Të sëmurët janë regjistruar nga 9 qytete të vendit, 202 në Gostivar, 174 në Dibër, 73 në Tetovë, 35 në Kavadar, 34 në Ohër, Kumanovë dhe Strumicë nga 16 të infektuar, në Shtip dhe Shkup numri i të prekurve është më i vogël se 10. Këtë sezon vërehet rritje e rasteve me grip dhe sëmundjeve tjera të ngjashme me gripin. Në tetor janë regjistruar 102 raste, në nëntor 307 raste ndërsa në dhjetor 1,304 raste”, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Vaksinimi kundër gripit në vend filloi më 12 nëntor 2021. Deri më tash janë vaksinuar rreth 50,000 qytetarë. Konkretisht me vaksinat pa pagesë të cilat janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë janë vaksinuar 44,822 persona që ju përkasin kategorive të rrezikuara të qytetarëve, ndërsa 4,360 persona të tjerë janë vaksinuar me vaksinat me pagesë të cilat jepen nga ana e Qendrave të Shëndetit Publik. /Alsat.mk