Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, pasi Supremja ua refuzoi rigjykimin: Nuk duam mëshirë por drejtësi
Për lëndën “Lagjja e Trimave” apo siç njihet edhe si Rasti i Kumanovës nuk do të ketë gjykim të ri, vendosi Gjykata Supreme.
Nga burgu kanë reaguar dy të dënuarit në këtë rast Fatmir Reçica dhe Naser Baraliu. Reçica thotë se nuk kanë pritur ndonjë mrekulli.
“Ne nuk besojmë në këtë sistem të drejtësisë në këtë shtet. E vetmja shpresë për ne është Gjykata e Strasburgut. Shpresojmë në drejtësinë e gjykatës ndërkombëtare, pasi asnjë dëshmitarë që ne e kemi ftuar nuk është pranuar”, deklaroi Reçica nga burgu.
I dënuar me 40 vjet burg, Reçica thotë se faktori politik shqiptar në Maqedoni të Veriut do të ndjehet rehat me këtë vendim.
“Mirëpo ne e dimë se nuk jemi fajtor por çlirimtare. Ne në vitin 2015 kemi ardhur për të bërë bashkimin kombëtarë. Mua nuk më mundon burgu pasi e di idealin tim. Unë do t’i shkojë deri në fund të vërtetës sime”.
Reçica ka thënë se do të konsultohen me avokatët nëse do t’iu ofrohej transferimi në Kosovë.
“Nuk e di a e dëmtojmë shtetin tonë apo popullin tonë me një vendim të tillë. Ndoshta do të lehtësoheshim me transferimin në Kosovë, por do të ishin me rëndësi detajet”, deklaroi tutje Reçica.
I burgosuri me dënim të përjetshëm, Naser Baraliu, thotë se për shqiptarët nuk ka drejtësi në Maqedonin ë e Veriut.
“Shqiptarit këtu nuk i shkon fjala. Presim që të vendos Strasburgu që procesi të fillojë nga e para. Ne duam drejtësi dhe të sqarohet rasti. Ne e duam fajtorin, nuk duam mëshirë e as falje. Duam drejtësi. Kush është fajtori këtu dhe jemi gjithçka në rregull”, deklaroi Naser Baraliu.
Reçica, Baraliu dhe disa të burgosur tjerë janë të vendosur në burgun e Idrizovës, derisa pjesa tjetër e të burgosurve janë në burgun e Shutkës.