Përgatitja e mbledhjes kuvendore e paraparë për më 13 janar në të cilën ambasadori i Francës në vend, Siril Bomgartner do t’i prezantojë prioritetet e presidencës franceze me BE-në, ishte një nga temat kryesore të sesionit të sotëm të Këshillit Nacional për Eurointegrime.
Sipas paralajmërimeve, në mbledhjen e kuvendit më 13 janar, përveç ambasadorit Bomgartner, do të marrin pjesë edhe ambasadorët e Gjermanisë dhe Çekisë në Shkup, Anke Hollshtajn dhe Mirosllav Toman, si dhe euroambasadori Dejvid Gir.
Kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe nënkryetar i VMRO-DPMNE-së vlerësoi se është e pashembullt dhe e palejueshme që Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka reaguar për qëndrimet e liderit të partisë bullgare Ekziston populli i tillë, Sllavi Trifunov, i cili fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në e lidhi me heqjen e vizave për hyrje të qytetarëve bullgarë në SHBA dhe pranim të Bullgarisë në zonën Shengen.
“Është e palejueshme që të mos reagohet për deklarata të tilla. Po të kishte deklaratë nga ana e kundërt, të themi kryetari i LSDM-së ose i BDI-së po të kishin deklarata të tilla ofenduese drejtë Bullgarisë dhe popullit bullgar, të jeni të bindur se ambasadori, të cilin për fat të keq nuk e kemi në Sofje, gjegjësisht në këtë rast përfaqësuesi i Ambasadës maqedonase, do të thirrej dhe do t’i dërgohej notë proteste nga MPJ-ja bullgare”, deklaroi Nikollovski.
Ai potencoi se VMRO-DPMNE-ja, nuk do të mbështesë zgjidhje me Sofjen e cila do të ishte jashtë Rezolutës së miratuar në Kuvend me të cilën ishin hartuar linjat e kuqe të vendit.
Për anëtarin e Këshillit Nacional për Eurointegrime, Zekir Ramçilloviq, i cili është nga radhët e koalicionit të kryesuar nga LSDM, deklaratat e Trifunov janë qëndrim i tij personal, dëshira dhe pikëpamje, prej të cilave nuk varen negociatat e vendit me Unionin.
“Besoj në atë që janë paralajmërimet nga kryeministri i ri bullgar se punët do të zhvillohen në drejtim tjetër”, deklaroi Ramçilloviq, duke shpresuar për fillimin e shpejtë të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Ai e përsëriti pritjen se kërkesat bullgare nuk do të jenë pjesë e kornizës negociuese të vendit me BE-në, e as kusht për fillimin e bisedimeve me Unionin.
Sipas Ramçilloviq, nuk do të duhej të ketë as ndarje të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejtë BE-së, sepse me këtë do të dërgohej porosi e gabuar jo vetëm për qytetarët e vendit, por edhe për gjithë rajonin.