Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në rajonin e Pollogut.
Në Tetovë raportohet se është privuar nga liria një 42 vjeçar, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, vajzën e mitur dhe më pas edhe nënën e tij.
“Pjesëtarët e policisë nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë mbrëmë (03-janar) rreth orës 21:00 kanë privuar nga liria 42-vjeçarin R.S. nga një fshat i rrethit të Tetovës, i cili një orë më herët në shtëpinë familjare kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten, vajzën e mitur, e më pas edhe nënën e tij. Ai është ndaluar në Stacionin Policor Tetovë për sqarim dhe dokumentim të plotë të rastit, pas së cilës do të përgatitet parashtresa përkatëse”, bëjnë të ditur nga SPB-Tetovë.
Ndërsa në Gostivar është privuar nga liria një 34 vjeçar pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 23 vjeçare dhe dy fëmijët e tyre të mitur.
“Dje (03-janar) rreth orës 18:20, zyrtarë policorë të SPB Tetovë – Departamenti për Punë të Brendshme Gostivar, kanë privuar nga liria 34-vjeçarin F.A. nga një fshat i rrethit të Gostivarit, i cili paraprakisht në një banesë në Gostivar, kishte sulmuar fizikisht gruan e tij 23-vjeçare dhe dy fëmijët e tyre të mitur. I njëjti është ndaluar në Stacionin Policor Gostivar për procedurë të mëtutjeshme dhe kundër tij do të përgatitet parashtresë përkatëse”, theksojnë nga SPB-Tetovë.