Politika nuk duhet të përzihet në mjekësi, epidemiologët dhe specialistët tjerë të fushës duhet të veprojnë të lirë për vendosjen e masave anti-covid gjatë pandemisë, thotë prof.dr Dragan Danillovski, i cili thotë se pa këtë ndërhyrje nuk do të kishte kaq viktima.
“Në të gjitha masat që kemi vendosur ndërhynte edhe politika, nëse nuk do të kishte aq përzierje të politikës në mjekësi, pra në vendimet mjekësore, nuk do të kishte kaq viktima. Nuk do të ndodhnin një numër kaq i lartë i tragjedive personale”, tha Dragan Danillovski.
Në mungesë të vendeve të lira nëpër spitalet shtetërore gjatë valës së pandemisë, shumë qytetarë janë drejtuar nëpër spitalet private për të shpëtuar jetët, por çmimet marramendëse i kanë sjellë ata në gjendjen e lypësit, thotë Danillovski, i cili akuzon për keqmenaxhim politik gjatë pandemisë.
“Në njërën anë, i kanë sjell qytetarët në gjendjen e lypësit, të cilët janë në gjendje të shesin gjithçka që posedojnë vetëm për të shpëtuar jetët në spitalet private. Në një krizë globale të kësaj kategorie, shteti duhej që të vendoste nën “kapelën” e vet edhe sektorin privat. Ishte e palejueshme një tolerim i tillë, i cili vazhdon të jetë akoma në dy paralelet e sistemeve shëndetësore. Nëse jo më tepër, por së paku t’i zbresin çmimet e shërbimit, si në njërën ashtu edhe në tjetrën shtyllë të shëndetësisë. Kjo nuk u bë dhe ndodhi që spitalet private dhe laboratorët privat në mënyrë enorme të pasurohen dhe këto shuma marramendëse gjithmonë i paguanin dhe i paguajnë qytetarët”, tha Danillovski.
Një nga spitalet private në vend, vetëm për thithjen e oksigjenit, pacientët kanë paguar nga 1000 euro natën, pa i përfshirë kontrollet dhe trajtimet tjera shtesë. Ndërsa në sektorin tjetër privat pacientët me Covid-19 kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë 600 euro natën.