Vaksinimi i popullsisë eci me ritme më të ngadalta gjatë këtij viti, pavarësisht pritshmërive dhe masave që u ndërmorën për të përshpejtuar procesin, ndërsa arritja e imunitetit kolektiv është ende larg. As 50 për qind e popullsisë nuk konsiderohet e vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik. Për këtë situatë ka shprehur shqetësim Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSh ka njoftuar dje se nuk arriti të përmbushë objektivin për vaksinimin e 40 për qind të popullsisë në çdo vend deri në fund të vitit. Nga 194 shtetet anëtare të OBSh-së, afërsisht gjysma nuk do të përmbushin objektivin, pasi në rreth 40 vende, as 10 për qind e popullsisë nuk është e imunizuar.
OBSh ka fajësuar për këtë situatë akumulimin e vaksinave, veçanërisht në mesin e pak vendeve të pasura perëndimore që tashmë po kryejnë vaksinime shtesë. Në Maqedoni numri i përgjithshëm i të vaksinuarve deri më 29 dhjetor është 838,987 persona. Në analizën e Institutit të Shëndetit Publik, thuhet se me një dozë janë vaksinuar 51 për qind e popullsisë mbi 18 vjeç. Me dy doza, ose të vaksinuar plotësisht tek popullsia mbi 18 vjeç janë 49, 7 për qind, përkatësisht 45.9 tek popullsia mbi 12 vjeç. Shtrirja e vaksinimit tek popullsia e përgjithshme e vendit është 40 për qind.
“Shtrirja e vaksinimit tek popullsia e aftë për punë 18 – 64 vjeç me një dozë vaksine është 46,7 për qind, ndërsa me dy doza nga kjo kategori janë vaksinuar 45, 1 për qind, ku 3,1 për qind kanë marrë dozën e tretë”, sqarohet në raportin më të fundit të ISHP. Ministria e Shëndetësisë thekson rëndësinë e vaksinimit me çdo vaksinë në dispozicion që është e sigurt. “Apelojmë që qytetarët të vaksinohen, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë përhapjen e mutacioneve SarsKov2”, thonë nga MSH. Nga ana tjetër shkalla e vaksinimit nuk është e barabartë kudo në Maqedoni. Interesimi më i vogël për vaksinat është regjistruar në rajonin Juglindor dhe Jugperëndimor. Qytetet si Negotinë (54,7për qind ), Kavadari dhe Gjevgjelia kanë një përqindje vaksinimi mbi 50 për qind, ndërsa më pak të vaksinuar, nën 30 për qind janë në Gostivar, Strumicë dhe Dibër, ku përqindja është nën 30. Strumica është qyteti me popullsinë më pak të vaksinuar 27,9për qind dhe Negotina me më së shumti. Në Shkup 38për qind e popullsisë i kanë marrë dy doza të vaksinave.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 që nga fillimi i epidemisë është 223.739, janë shëruar 211.021 persona dhe 7.917 të tjerë kanë vdekur. Sipas analizës më të fundit të Ministria e Shëndetësisë (në periudhën 6 gusht deri më 23 dhjetor), në territorin e vendit rezultojnë pozitivë 66.857 qytetarë të testuar, nga të cilët 33për qind ishin të vaksinuar plotësisht (21.806 persona). Po ashtu 21 për qind e rasteve të vdekjeve gjatë kësaj periudhe kanë qenë të vaksinuar.
Deri më sot janë administruar në mbarë botën më shumë se 8.6 miliardë doza të vaksinave KOVID-1, por kryesisht në vendet më të pasura që mund të sigurojnë kontratat e tyre me prodhuesit e vaksinave. Dhjetëra vende varen nga rezervat e Kovaks, një program i shpërndarjes së vaksinave të mbështetur nga OKB-ja që synon të japë vaksina në vendet më të varfra. Vendet e prosperuara janë kritikuar se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbështetur shpërndarjen e drejtë globale të vaksinave përmes Kovaks. Të dhënat japin një pamje katastrofike. OBSh thotë se rreth 171 doza të vaksinës për 100 banorë janë administruar në Gjermani, pak më pak se 2.7 në Madagaskar dhe 0.32 në Republikën Demokratike të Kongos.