Me masa më të buta e në krahasim me vitin e kaluar, shkupjanët dhe të gjithë qytetarët anembanë vendit do të përcjellin vitin 2021 dhe do ta mirëpresin vitin e ri 2022, raporton MIA.
Këtë 31 dhjetor, edhe përkundër asaj se pandemia e shkaktuar nga kovid-19 akoma është prezente, qytetarët po organizohen për të festuar Vitin e Ri në sheshe, në qendra turistike, në kafene, restorante, lokale, ndryshe nga viti i kaluar kur situata me virusin nxiti futjen e masave kufizuese dhe ndalime.
Megjithatë, disa vende kanë ndaluar festimet në ambient të hapur, kanë anuluar natën e Vitit të Ri dhe kanë vendosur kufizime.
Këtë vit dekorimi në kryeqytet nisi me vonesë. Nga java e kaluar në sheshin e Shkupit shihen disa dekorime për Vitin e Ri, të cilat për herë të parë nuk i kushtojnë qytetit të Shkupit, por janë në kurriz të kompanive me përgjegjësi shoqërore. Në shesh janë vendosur shtëpizat e Vitit të Ri të “Winterlandit”.
Mjetet, të cilat ishin planifikuar për festën e Vitit të Ri, do të ndahen për kategoritë e prekshme sociale. Së fundmi kryetarja e qytetit të Shkupit Danella Arsovska tha se ato mjete është më mirë t’u jepen atyre që këto ditë nuk kanë as ushqim.
“Qyteti nuk do të jetë i trishtueshëm. Viti i Ri do të festohet, por në mënyrë modeste, pa i kushtuar qytetit 250 mijë euro”, tha Arsovska.