Të mos pranohet garancia e ofruar për ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkovin, ishte qëndrimi i Prokurorisë në procedurën që u zhvillua. Ky qëndrim, siç thotë në intervistën për MIA-n prokurori shtetëror publik Lubomir Joveski, rezulton për disa arsye. Sipas tij, jo më pak të rëndësishme janë edhe të dhënat se për një pjesë të pronës paraprakisht është vendosur hipotekë nga Banka Komerciale Shkup.
“Qëndrimi i Prokurorisë në të gjithë procedurën që është zhvilluar me rastin e garancisë së ofruar për ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkovin, ishte të mos pranohet garancia e ofruar për disa arsye. Prokuroria ka dhënë propozime negative sepse vlerësoi se nuk ka asnjë pasqyrë të gjendjes pronësore të të akuzuarit dhe së dyti prona e cila ofrohet për garanci përbëhet në pasur të paluajtshme të cilat ofrohen si përjashtim, përndryshe garancia zakonisht jepet në para në dorë nga njëra anë, nga ana tjetër prona e ofruar nuk ka cilësi të mjaftueshme që të mund të arkëtohet shpejt”, thotë Joveski.
Ai potencoi se heqja e masës së paraburgimit është vendim i gjykatës dhe prandaj në këtë moment nuk mund ta komentojë. “Prokuroria i komenton ato vendime në pjesën e mënyrës juridike nga një anë, ndërsa nga ana tjetër unë ende nuk e kam parë vendimin, as shpjegimin e vendimit”, theksoi Joveski.
Shpjegoi se garancia kryesisht merret në para, në vlera apo gjësende me vlerë të cilat lehtë mund të arkëtohen dhe se lartësia e garancisë varet nga gjendja familjare dhe pronësore e të akuzuarit dhe personaliteti i të akuzuarit.
Jo më pak i rëndësishëm, sipas prokurorit shtetëror publik, është edhe e dhëna se për një pjesë të pronës paraprakisht është vendosur hipotekë nga Banka Komerciale Shkup.
Lidhur me deklaratat e paverifikuara se në këshillin gjyqësor i cili e ka marrë vendimin ka marrë pjesë një gjyqtar i cili ka qenë në pushim mjekësor, prokurori Joveski tha se në këtë moment nuk mund ta konfirmojë këtë informacion.
Intervista e prokurorit shtetëror publik Lubomir Joveskit për MIA-n do të publikohet më 3 janar.