Në seancën e sotme të jashtëzakonshme nga ana e kryetarit dhe kryesuesit të Këshillit është ngritur iniciativë që të rishqyrtohet problemi me tokën e “Shik Jellak”, që i ishte dhënë biznesmenit kontrovers Davidoviq-Daka.
Me këtë vendim, sektori i urbanizimit obligohet që të sjellë elaborat përpara këshilltarëve dhe do të rishqyrtohet gjithçka, përcjell INA.
Për momentin është anuluar vendimi i përbërjes së mëparshme për pronën e kompanisë “Shik Jelak”, ku një biznesmen kontrovers malazez ka dashur të ndërtojë banesa.
“Ne kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme për nesër në orën 12 dhe ai vendim do të merret. Qytetarët e Tetovës do të njoftohen për të gjitha procedurat për rishikimin e atij plani dhe plani do të miratohet sipas të gjitha procedurave duke filluar nga debati publik. Ka shumë shkelje. Njëri prej tyre është aspekti urban sepse në tërë linjën e rrugës Industriale është planifikuar ndërtimi i një objekti gjashtëkatësh, i cili do të krijojë probleme shtesë ajri në Tetovë. Për këtë do të japin mendimin e tyre edhe ekspertët e mjedisit”, theksoi Kasami.
Ai këtë vendim e kishte paralajmëruar si zotim kryesor gjatë fushatës.
“Këshilltarët e Lëvizjes BESA përveç që nuk kanë votuar atë plan urbanistik por edhe kanë protestuar kundër një vendimi të tillë në këshillin komunal të Tetovës. Kjo tregon që Lëvizja BESA nuk do të pranojë asnjë investim të asnjë investitorë kontrovers në Tetovë për shkak se Tetova ka investitorë vendas të cilët për shkak të mbylljes së administratës komunale të Teuta Arifit ata janë të detyruar të investojnë në Shkup dhe në pjesët tjera të Maqedonisë së Veriut, ne si pushtet komunal këtyre investitorëve do të ua mundësojmë duke investuar në infrastrukturën rrugore, ujore dhe nëntokësore që ata të mund të investojnë në Tetovë dhe të krijojnë kushte më të mira për qytetarët e Tetovës” tha Bilall Kasami.
Shitja e kësaj toke ishte kontestuar edhe nga sektori qeveritar. “Shitja e pronës së “K.I.P. Shik-Jelak” në Tetovë bashkë me rrethanat e dyshimta nga përgjimet e dëgjuara nga biznesmeni kontrovers serbo-malazez, përbëjnë bazë të mjaftueshme për ngritjen e hetimeve për këtë rast dhe ngrirjen e menjëhershme të të gjitha procedurave të metejshme në urbanizimin e bllokut urban 57A”, ka theksuar Arjanit Xhaferi nga EcoGuerilla.
Opozita sërish ka drejtuar akuza ndaj qeverisë dhe komunës së Tetovës lidhur me ndryshimin e planit detal urbanistik që ka të bëj me bllokun 57, apo ish fabrikën Shik Jellakun, ku për dallim prej planit të vjetër tani kthehet në bllok urban për ndërtimin e banesave.
Sipas planit të ri, pjesa e mbetur e ish Shik Jellakut, tani i takon firmës “Daka”, të biznesmenit malazez, Miodrag Daka Davidoviq, i cili dëgjohej në përgjimet e publikuara para zgjedhjeve, pikërisht për pjesën e mbetur të Shik Jellakut.
“Disa ditë pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit, në mënyrë kr iminale ndryshohet plani detal urbanistik me të cilin mundësohet fitim prej më shumë se 200 milion euro, apo afër 120 mijë metra katrorë për objekt, prej të cilëve diku rreth 60 mijë metra katrorë janë hapësirë tregtare dhe afariste, dhe 20 mijë metra katrorë janë objekte rezidenciale…Këtë biznesmen e kemi dëgjuar gjatë fushatës zgjedhore duke përmendur provizione prej disa qindra mijëra eurosh”, deklaruan nga opozita.
Nga Këshilli Komunal i Tetovës jo zyrtarisht thonë se plani është miratuar në seancën 31 gushtit të 2020 me votat e të gjithë këshilltarëve, dhe se e gjithë procedura ka qenë ligjore. Plani më pas është aprovuar edhe nga Ministria e Transportit brenda shtatë ditësh.
Procedura lidhur me pronën filloi më 25 dhjetor të vitit 2018 në mbledhje të Qeverisë, dhe mbledhjet e datës 15 janar dhe 7 shkurt, kur vendosi që t`i ofrohet pjesa e mbetur e Shik Jellakut, tanimë pronarit të një pjese të tij, firmës Daka.