Ministri i Financave Fatmir Besimi dhe drejtoresha e Drejtorisë së Doganave Sllavica Kutirov në takimin e sotëm kanë biseduar për aktivitetet lidhur me projektin për vendosjen e sistemit “Track&Trace” për monitorimin e prodhimeve të akcizës, për përballjen me ekonominë gri, por edhe për realizimin e projekteve të cilat janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.
Siç informojnë nga Drejtoria e Doganave, në takimin Kutirovi e informoi ministrin Besimin për projektet e realizuara dhe në vazhdim që dalin nga programi i Qeverisë, duke theksuar aktivitetet e ndërmarra nga Drejtoria e Doganave për përballimin e ekonomisë gri të cilat janë gjithashtu pjesë e aktiviteteve të fushatës “Bring Color to the Grey Economy”, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.
Ajo informoi për një sërë masash të ndërmarra nga Drejtoria e Doganave me qëllim të thjeshtimit dhe lehtësimit të procedurave doganore, me qëllim të mbajtjes dhe promovimit të tregtisë ndërkufitare.
Ndër temat e bisedës ishte statusi dhe aktivitetet lidhur me projektin për përfshirjen e sistemit Track & Trace për monitorimin e produkteve të akcizës, i cili pritet të kontribuojë në kontrollin më të mirë të mallrave të akcizës në mbarë vendin”, kumtuan nga Drejtoria e Doganave.
Besimi u njoh edhe me statusin e zbatimit të projekteve që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, si njohja reciproke e autorizimeve të Operatorit të autorizuar ekonomik (OAE) dhe kontrollet e përbashkëta kufitare (One Stop Shop) me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, përballja me korrupsionin si sfidë më e madhe për shoqërinë, por edhe për Drejtorinë e Doganave ishte pjesë e diskutimit në takim, si dhe masat e marra për zgjidhjen sistematike dhe përmirësimin e kontrollit të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve.
Ministri dhe drejtoresha ranë dakord se sukseset në punë nuk janë të rastësishme por rezultat e një pune shumëvjeçare të fokusuar, të përqendruar dhe ekipore, duke theksuar përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm të suksesshëm me qëllim të thjeshtimit të procedurave doganore, rritjen e konkurrencës së ekonomisë vendase dhe zvogëlimin e shpenzimeve për operatorët ekonomik.