Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka lëshuar një deklaratë lidhur me vizitën e ish-të dërguarit të tij, Richard Grenell në Kosovë.
Trump thotë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit ekonomik. Trump thotë se marrëveshjet e ndërmjetësuar nga administrata e tij janë historike dhe nuk duhet të braktisen.
“Populli i mrekullueshëm i Serbisë dhe Kosovës ka kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit të tyre ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në pikëpyetje.
Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë”, thotë Trump në deklaratën e publikuar nga Taylor Budowich, drejtor për komunikim i Trumpit.
Presidenti i 45-të i SHBA-së thotë se Richard Grenell e vizitoi kufirin Kosovë – Serbi pikërisht për ta theksuar këtë marrëveshje. Ai thotë se normalizimi mes dy vendeve është i mundur, por shton se kjo kërkon përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur.
“Sot, i Dërguari im Ambasadori Rich Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar këtë marrëveshje të rëndësishme. Ashtu siç dëshmuam në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundur, por kërkon një përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Paqja është e mundshme, mos u dorëzo – prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje!”, thuhet në deklaratën e Donald Trump.