Shumica regresive në Maqedoni dështoi, por rrezikoi gjithë rajonin

Kuvendi i Maqedonisë së veriut mbrëmë nuk e miratoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë së vendit me iniciativë të opozitës dhe Lëvizjes Besa, e cila e braktisi shumicën parlamentare, dhe që nxiti shumë reagime në vend e në rajon.

Shumica e pretenduar opozitare u cilësua si anti NATO, anti SHBA, anti Amerikë, por edhe kundër njohjes së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Ohrit për arsye të programit të partisë ekstremiste “Levica” (E majta), dy deputetët e së cilës ishin vendimtar për të arritir numrin 61 nga gjithësej 120 deputet sa ka Kuvendi në Shkup.

Pjesë e skuadrës së pushkatimit të perspektivës europiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut ishin VMRO-DPMNE, BESA, LEVICA, ALEANCA dhe ALTERNATIVA.

Deputetët e këtyre partibe mbrëmë tentuan që të vënë në rrezik rënien e qeverise dhe nxitjen e zgjedhjeve të parakohshme me ç’rast rrezikuan edhe hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian në dhjetor të këtij viti.

Përmbysja e shumicës progresive, e pastaj reformimi i qeverisë ishte po aq i rrezikshëm sa edhe shkuarja në zgjedhje sepse po humbej shansi i dhjetorit për çelje të bisedimeve me Bashkimin Europian.

Kryeministri i Holandës z. Mark Rutte, presidenti i Francës z. Emanuel Macron, kancelarja gjermane znj. Angela Merkel dhanë sinjale të qarta se Maqedonisë së Veriut i duhet stabilitet, qeveri e përkushtuar drejt perëndimit, pushtet i interesuar që të forcojë marrëdhëniet me NATO-në dhe para së gjithash të mbaj kursin drejt perëndimit, përkatësisht të vazhdoj përpjekjet për respektimin e Marrëveshjes së Prespës, marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe vazhdimin e reformave në vend, gjëra këto elementare për të hapur bisedimet me BE-në këtë 15 dhjetor.

Shumica e re “regresive” e cila dështoi mbrëmë në mungesë të numrave të deputetëve në Kuvend e paralajmëruar me pompozitet nga VMRO-DPMNE dhe Levica e përkrahur “symbyllur” edhe nga Aleanca, Alternativa dhe Besa, në rast të suksesit do të dëmtonte edhe rrugën europiane të Republikës së Shqipërisë sepse Tirana është në një pako të nisjes së negociatave me Bashkimin Europian bashkë me Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se shumica e paralajmëruar nga Hristijan Mickoski i VMRO-së dhe Dimitar Apasievi i Levicës dhe e përkrahur nga Ziadin Sela i Aleanës, Afrim Gashi i Alternativës dhe Bilall Kasami i Besës në rast të votimit mbrëmë në Kuvend rrezikonte edhe rihapte konteste me Greqinë fqinje dhe Bullgarinë, nëpërmjet të cenimit të Marrëveshjes së Prespës të arritur me shumë mund dhe sakrifica nga ana e qeverisë Zaev-Ahmeti dhe mos respektim të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Partitë kryesore të “shumicës regresive”, VMRO-DPMNE dhe Levica në opinionin vendas por edhe për atë ndërkombëtar janë të njohura mirë për qëndrimet e tyre kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe prishjes e krijimit të tensioneve midis shqiptarëve dhe maqedonasve e me këtë prishjes së stabilitetit të vendit dhe largimit të tij nga synimi kryesor hapja sa më parë i bisedimeve me Bashkimin Europian dhe njëkohësisht zbatimi i të gjitha reformave tashmë të nisura në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim të etnisë.

Një nga pikat shtyllë të programit të Levicës është edhe ç’njohja e Republikës së Kosovës dhe anulimi i amnestisë për UÇKnë.