Përfaqësuesja e Anglisë do të jetë e detyruar të luajë të paktën një ndeshje pa praninë e tifozëve për shkak të incidenteve që shkaktuan huliganët anglezë në sfidën finale të Europianit përballë Italisë. UEFA
UEFA ka urdhëruar FA-në, organin drejtues të futbollit anglez, që një ndeshje të radhës ta luajë pa tifozëve, si dhe e ka gjobitur 100 mijë euro për skenat kaotike që u panë në finalen e Kampionatit Evropian.
FA reagoi sot se është “shumë e keqardhur” që huliganët ishin në gjendje të hynin në stadium dhe theksoi se ajo vazhdon të punojë me autoritetet për t’i vendosur para përgjegjësisë.
Ndeshja e Anglisë që do të luhet pa tifozë, në fakt, nuk do të jetë ajo e radhës ndaj Shqipërisë në 12 nëntor, por në Ligën e Kombeve qershorin e ardhshëm, pasi dënimi është për kompeticionet që organizohen nga UEFA (eliminatoret e Botërorit organizohen nga FIFA).
Anglia mund të luajë pa tifozë ndaj Francës, Spanjës, Italisë ose Belgjikës.