Ish anëtarët e KSHZ-së: Metoda e fingerprint-it nuk ishte e testuar mirë prandaj u krijua kaos në zgjedhjet
Ish anëtarët e KSHZ vlerësojnë se metoda e votimit përmes ‘fingerprintit’ (me gjurmë gishtash) duhej paraprakisht në testohej në vende dhe situata të ndryshme, para se të vihej në zbatim në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Votimi me fingerprint, dje hasi në probleme të shumta teknike gjatë procesit, gjë që shkaktoi rrëmujë nëpër vendvotime të ndryshme si dhe e zgjati kohën e mbylljes së vendvotimeve, shkruan Portalb.mk.
Ish kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski deklaroi për Portalb.mk se koncepti i votimit përmes gjurmëve të gishtërinjve përbën demokraci, megjithatë sipas tij ka pasur vonese në furnizimin e aparateve.
Sipas tij, faktorët që kanë ndikuar në shfaqjen e problemeve teknike janë, ose cilësia e të dhënave, nëse janë më të vjetra gjurmët ose është menaxhim jo i mirë me aparatin nga ana e atij që ka menaxhuar, do të thotë nuk e ka ndjekur mjaftueshëm mirë trajnimin.
Ish kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski
“Unë nuk mendoj se nuk pati sukses. Mendoj se nuk ishte planifikuar mirë, pati vonesa me furnizimin dhe implementimin, ndryshe parë në përgjithësi zbatimi, por do të duhet më shumë kohë qytetarët të mësohen me mënyrën e votimit dhe paraprakisht të kryhen verifikime dhe të verifikohet edhe cilësia e të dhënave që vendosen për gjurmët e gishtërinj. Mendoj se duhej të testohet. Po të kryhej furnizimi në kohë, do të kishte mundësi dhe do të kishte kohë për simulim në më shumë vende dhe në më shumë situata dhe do të dihej saktë si të reagohej”, deklaroi Derkoski.
Ish zëvendëskryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca, deklaroi për Portalb.mk se edhe në kohën kur ka qenë pjesë e këtij komisioni, kanë shqyrtuar mundësinë e digjitalizimit të KSHZ-së, megjithatë kanë hequr dorë pas konsultimeve me shtetet perëndimore të cilat kanë ndarë me to përvojat sa i përket mangësive gjatë procesit zgjedhor.
“Unë e vlerësoj si të panevojshëm, sepse fingerprinti nuk ka realizuar ndonjë funksion të ri, me që kemi listën zgjedhore me fotografi edhe mendoj se është diçka e panevojshme dhe e ka ngarkuar procesin e votimit sepse, nuk ka funksion të ri, përpos vërtetimit të identitetin, ndërsa identifikimi i identitetit bëhet edhe me listën zgjedhore në të cilën secili person ka fotografinë e tij. Kështu që, shtimi i kësaj vetëm se e zmadhon kohën dhe e pamë se ata nuk janë në funksion. Ne edhe si KSHZ kur ishim në KSHZ, kemi pasur plan për digjitalizimin e KSHZ me makina të ngjashme, mirëpo pas konsultimit me disa shtete të Evropës Perëndimore, ato nga thanë se bile disa shtete që i kanë pasur në përdorim, i kanë hequr nga përdorimi duke parë mangësitë e tyre që paraqiteshin gjatë procesit dhe për atë shkak edhe ne e braktisëm këtë projekt”, tha Prekopuca.
Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së
Sipas tij, kjo metodë ka qenë e panevojshme, pasi nuk kryen ndonjë funksion të ri.
“Gjithsesi çdo risi paraprakisht duhet të testohet dhe duhet të ketë disa kohë për t’u testuar. Mirëpo, në fund të fundit unë mendoj se këto fingerprintat nuk kanë qenë të nevojshëm sepse, çfarë funksioni të ri kryejnë ato. Në rast se këto fingerprintat do ta eliminonin listën zgjedhore të printuar dhe pa probleme atëherë ok. Mirëpo, tani e kemi listën zgjedhore të printuar me fotografi dhe tash ja shtojmë kësaj pune edhe fingerprint i cili luan të njëjtin rol. Dmth nëse unë e vendos gishtin aty më dalin të gjitha të dhënat të cilat veç më janë në listën zgjedhore, nuk ka funksion të ri kjo fingerprint sipas meje, vetëm se e ka ngarkuar procesin dhe me këto defekte e ka vonuar shumë”, tha ai.
Kujtojmë se, për shkak të problemeve teknike që u shfaqën në aparatet për gjurmë të gishtërinjëve, votimi dhe heshtja zgjedhore u zjgatën deri në orën 19:30, në mënyrë që t’u mundësohet të votojnë edhe personat që ishin duke pritur në oborr apa para vendovotimit, si pasojë e radhëve të krijuara.