Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, Viola von Cramon.
Eurodeputetët gjatë këtij takimi shprehën interesim për operacionin e Policisë së Kosovës më 13 shtator, për të cilin Kurti u tha se ishte operacion kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, pesë nga to në Mitrovicën Veriore.
“Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore”, është shprehur Kurti.
Ndërkaq lidhur me interesimin e eurodeputetëve për bisedimet me Serbinë, kryeministri ka thënë se nuk kanë alternativë, por duhet kuptuar se as njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë, njofton Klankosova.tv
“Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke”, ka thënë ai.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi foli për mbarëvajtjen e negociatave për zgjidhjen e përkohshme për targat dhe pritjet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.
Përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, falënderoi institucionet e Kosovës për pranimin dhe ndihmën e ofruar për refugjatët afganë, si dhe i përgëzoi për reformat e nisura në drejtësi, përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për ruajtjen e stabilitetit institucional.