Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, u shtrua në spital, me një infeksion që nuk lidhet me sëmundjen COVID-19, njoftoi zëdhënësi i tij, Angel Urena. Në një postim në Twitter, ai tha se Clinton u pranua në një spital të Kalifornisë, por nuk dha më shumë detaje.
Clinton, 75 vjeç, është në “gjendje të mirë shpirtërore” dhe “shumë mirënjohës ndaj mjekëve, infermierëve dhe stafit”, tha zëdhënësi.
Edhe pse nuk është e qartë se çfarë çoi në shtrimin e tij në spital, Clinton ka histori të sëmundjeve të zemrës.
Një deklaratë nga mjekët e tij tha se ai ka marrë antibiotikë dhe lëngje.
“Pas dy ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po u përgjigjet mirë antibiotikëve”, thanë mjekët, për të shtuar se Clinton do të mbetet në spital për “monitorim të vazhdueshëm”.
Clinton ka shërbyer si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1993 deri më 2001.