Lëvizja BESA e përmbylli fushatën në Tetovë

Lëvizja Besa tubimin përfundimtar para zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, e mbajti në qytetin e Tetovës, në sallën e Shkollës së mesme komunale “Kiril Pejçinoviq”.

Në prezencë të të gjithë funksionarëve partiak dhe të simpatizantëve, Kreu i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kandidati i saj për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka prezantuar programën për qeverisjen me komunën në katërvjeçarin e ardhshëm.

Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Besa para të pranishmive në tubimin qendror në Tetovë:

Të nderuar Tetovar,
Te nderuara aktiviste te forumit të gruas
Ju shumë e dashur RINI
Në këto ditë fushate unë dhe kandidatët e Lëvizjes BESA para jush detektuam probleme, detektuam parregullsi, paraqitëm një sërë projektesh, një sërë zgjidhjesh,. U përpoqëm në të gjitha mënyrat tua prezantojmë programin tonë, zotimet tona. Besoj se të gjithë e keni parë. Përderisa ne prezantonim projekte konkrete, të tjerët na sulmonin. Përderisa ne jepnim zgjidhje konkrete, disa nuk e kishin as idenë për çfarë flasim, e të tjerët përpiqeshin të shkatërronin edhe më shumë nga ajo që kishte ngelur pa u shkatërruar.

Ne ju ofruam zgjidhje për furnizimin me ujë, zgjidhje për pastërtinë e qytetit, për ndërtimet pa leje, për bulevardet, për parkingjet, për administratën… Ne ofruam zgjidhje për çdo problem në Tetovë. Ne nuk bëmë sfilata, ne e bëmë të qartë se TETOVËN vërtetë duam ta ndryshojmë.
Programi ynë nuk është program i thjeshtë. Programi ynë është i ngritur mbi parime. Parimi bazë është se komuna është e qytetarit, dhe dyert e komunës pas 17 tetorit do të hapen vetë për qytetarin.
Ne thamë se do të bashkë-qeverisim me qytetarët. Po e përsëris sërish, ndryshimin e Tetovës do ta bëj me ekspertët më të fuqishëm të Tetovës, pavarësisht a janë në ndonjë parti, pavarësisht kujt partie i takojnë, apo janë njerëz të cilët vetëm pse nuk kanë qenë në parti, zëri i tyre asnjëherë nuk është dëgjuar. Zëri i njerëzve të dijshëm do të dëgjohet, ata bashkë me mua dhe bashkë me ekipin tim do ta bëjnë më të mirën për Tetovën.
Ne ofruam komunë transparente, dhe bashkë do ta bëjmë. Qytetari i Tetovës por edhe i komunave tjera, ka të drejtë të dijë gjithçka çfarë ndodh në Komunë, si harxhohet çdo denarë. Këto mjete nuk janë të Komunës, nuk janë të Bilall Kasamit, këto janë mjete të qytetarit dhe qytetari ka të drejtë ta dijë si harxhohen ato.
U zotuam për ambient të pastër. Të nderuar tetovarë, të nderuar bashkëqytetar të mijë. Nuk do të lejojmë që bukuria e Sharrit të shëmtohet nga mosfunksionimi dhe keq menaxhimi i ndërmarrjes komunale. Ne jetojmë në Tetovë dhe Tetova do të jetë e pastër. Do të kujdesemi për Tetovën, si për shtëpinë tonë.
Ne u drejtuam para jush me shumë projekte. Deshëm që ato ti përballim edhe me kandidatët tjerë pjesë të kësaj gare. Kryetarja aktuale me kolegët e saj ikën katër vjet nga populli, iku nga përballja para popullit. Ata të tjerët duke mos pasur idenë u bashkëngjitën dhe u fshehën bashkë. Nuk deshën të përballen sepse nuk kishin çfarë të ofrojnë. Ndoshta edhe kishin frikë, kishin frikë nga oferta jonë serioze, apo kishin frikë të japin llogari çfarë kanë punuar për tetë vjet.
Bilall Kasami me shokët e vet e kanë fytyrën e pastër dhe nuk kemi as frikë e as turp të përballemi me cilin do. Ikët katër vjet nga populli, ikët tre javë në fushatë – ikja mori fund. Të dielën duhet të përballeni, nuk keni ku ikni prej popullit.
Ne nuk ikim, nuk kemi ku shkojmë. Unë jam prej Tetove, Fadili prej Gostivari, Kastrioti prej Çairi, Fatmiri prej Piroku, Dauti prej Sllatine, Luani prej Sllupçani, Hasimi prej Saraji, Abdullahi prej Llabunishte, Agimi prej Zhitoshe, Senadi prej Gradeci, Blerimi prej Zheline… Ne i duam vendet tona. Aty kemi shtëpinë, aty rrisim fëmijët, aty ndërtojmë ardhmërinë. Ne jemi këtu, nuk jemi mysafirë në shtëpitë tona. Tetova është shtëpia ime, as nuk kam ku shkoj, e as nuk dua të shkoj. Të ardhmen duam ta ndërtojmë, ta ndërtojmë bashkë me ju, për fëmijët tanë.
Nuk ka fuqi që e ndal këtë ortek në Tetovë, nuk ka presion që mund ta ndal këtë eufori. Asgjë e gjallë nuk mund ta ndal fitoren tonë. Fitorja jonë nuk është vetëm fitorja e aktivistëve të Lëvizjes BESA, fitorja jonë nuk është fitore e koalicioneve partiake, fitorja jonë do të jetë fitore e koalicionit me popullin. Fitorja jonë do të jetë fitore e qytetarit të shtypur, fitorja jonë do të jetë fitorja e qytetarit të heshtur, fitorja jonë do të jetë fitorja e atyre njerëzve të ndershëm, fitorja jonë do të jetë fitorja e Tetovës.
Unë nuk di të flas fjalë të mëdha, por kam ekipin me të cilët mund të bëjmë punë të mëdha. Nuk ju them do të shihni çfarë do të bëj për katër vite, vetëm do t’ju them, ndryshimi i Tetovës do të shihet për gjashtë muaj.
Tetovën na e fali Zoti, e mbrojtën të parët tonë brez pas brezi, do ti dalim zot në 17 tetor, se e kemi amanet.

Votoni për fëmijët tuaj,
Votoni për familjen tuaj,
Votoni për pragun e shtëpisë!
Ju Faleminderit dhe na prift e mbara!
Në këto zgjedhje, Lëvizja Besa ofron ide dhe projekte konkrete e ambnicioze, realiste për të menaxhuar me komunën e Tetovës, si një shpresë e vetme dhe konkrete për qytetarët e Tetovës dhe me besimin e madh për tu bërë shumë shpejt realitet i prekshëm. Duke synuar ta gërshetojë përvojën, energjinë dhe gjakun e ri, Lëvizja Besa, është përkujdesur që përfaqësimin i të rinjve dhe gjinisë femërore të jetë i kënaqshën. Të rinjtë janë pasuria më e madhe e jona, jemi me fat që i kemi, prandaj Lëvizja Besa e sheh si detyrim t’i mbështesë ata si garancë e ardhmërisë sonë.