Së paku 46 persona humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në një ndërtesë 13-katëshe në jug të Tajvanit, njoftuan të enjten zyrtarët e këtij vendi. Sipas tyre, dhjetëra të tjerë morën plagë të rënda.
Departamenti lokal i zjarrit tha se ndërtesa e banimit dhe tregtare në qytetin Kaohsiung u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit.
“Zjarri ishte jashtëzakonisht i egër dhe shkatërroi shumë kate”, thuhet në deklaratë.
Zjarrfikësve iu deshën më shumë se katër orë për të shuar zjarrin. Shkaku i incidentit është ende i paqartë dhe hetuesit ndodhen në vendngjarje.
Ndërtesa ishte rreth 40 vjet e vjetër, me dyqane në katet më të ulëta dhe me apartamente sipër.