Koment: TetovaSot
Se sa poshtë ka rënë opozita shqiptare që garon në këto zgjedhje, e tregon vetë veprimi foshnjarak nëpër tubime ku me shqiptarët tallet dhe këta të fundit krahasohen me bretkosa dhe kërmilla.
Kjo tregon nivelin e ulët të politik bërjes, por njëkohësisht edhe kjo nuk është asgjë më shumë se një tallje me elektoratin të cilët më pas me të drejtë tallen nëpër rrjetet sociale.
E gjithë kjo histori dështimi për të paraqitur një program që u ofron qytetarëve, politikanë të nivelit të ulët që kanë ngatërruar politikën me diçka tjetër, i ulin vlerën vetë fushatës, e bëjnë atë tallje dhe tregojnë se çdo kush nuk e meriton të ketë epitetin politikan dhe aq më tepër të jetë drejtues i një partie ku njerëzit në vend që ta shohin si shpresë e ndryshimit, ata e bëjnë objekt talljeje sepse në fakt e meritojnë një gjë të tillë që e krijojnë vetë.
Rasti më eklatant është ai që po ndodhë me partinë ALTERNATIVA që edhe kësaj radhë u ofrojnë qytetarëve më shumë përralla për fëmijë nga ligjërata që u dalin nga kontrolli siç është tashmë ” bretkosa” e famshme e Afrim Gashit dhe kërmilli ” unik” i Skender Rexhepit-Zejdit. Problemi është se ata përmes këtyre shembujve banalë duan ti krahasojnë shqiptarët me bretkosa dhe kërmilla.
I pari Afrim Gashi i quajti votuesit shqiptar “bretkosa”. Këtë skandal e ka bërë gjatë fjalimit të tij në tubimin e koalicionit opozitar Aleanca-Alternativa dhe VMRO-DPMNE në qytetin e Kumanovës. “Bretkosën e marrin edhe e fusin me një enë e cila është e ngrohur mbi 50-60 gradë, në momentin që ajo e prek ujin menjëherë kërcen nga ena dhe e kanë provuar një metodë tjetër: E fusin bretkosën në një enë me ujë në temperaturë normale dhe vazhdimisht e ngrenë temperaturën dhe temperatura si ngritët, bretkosa fillon dhe e adapton temperaturën e trupit të saj bashkë me temperaturën e ujit dhe arrin të qëndroj diku 70-80 gradë. Vetëm në momentin kur fillon uji të vlojë në 100 gradë, bretkosa mundohet të kërcejë por në këtë rast bretkosës i humbin të gjitha kapacitetet vitale të saj dhe ajo ngordh,” ka deklaruar Gashi.
Por kjo histori ” gjallesash” nuk përfundon këtu ose më saktë nuk përfundon vetëm me bretkosën , por fillon me një tjetër siç është kërmilli i Zejdit .
Një tjetër ” krahasim” i jashtëzakonshëm i një historie rrëfimi që nuk do kishte ” fëmijë ” që nuk do ta ” pëlqente”. Ai para të pranishmeve në Çair mori një shembull përçmues duke i quajtur votuesit shqiptar si kërmilla që lëpihen për lisi. “Shqiponja kishte flutuar lartë dhe në maje të një lisi më së paku 100 metërsh, habitet kur e takon një kërmill atje, dhe e pyet: Unë erdha duke fluturuar, vallë ti si erdhe? Kërmilli i përgjigjet qet duke e lëpirë drurin prej poshtë e deri lartë”, theksoi Zejdi.
Por pyetja ” milionëshe” për Gashin dhe Zejdin është : Kur bie shi kush del i pari , Bretkosa apo Kërmilli?
Dhe për ta përmbyllur këtë histori gjallesash, a e meritojnë shqiptarët të udhëhiqen nga politikanë të tillë ku në vend që për fushatë tu ofrojnë një program të qartë, ata u tregojnë përralla fëmijësh duke i nënçmuar tej mase vetë mbështetësit e tyre.
Përgjigja më e mirë për Bretkosën dhe Kërmillin shqiptarët do ta japin me 17 tetor dhe do ti tregojnë Gashit dhe Zejdit se kur bie shi kush del i pari.