Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka folur për deklarimet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politika të Jashtme, Josep Borrell, që tha se duhet ndalen veprimet e njëanshme e të pakoordinuara.
Borrell reagoi dje, pas aksionit të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe në veri, për të luftuar kontrabandën.
“Ta marrim në perspektivë se çfarë tha Përfaqësuesi i Lartë, Borrell. Ai po thoshte që thërrasim për qetësi. Incidentet e dhunshme që po ndodhnin, e në fakt kishte të tilla në veri të Kosovës, duhet të ndalen menjëherë, dhe fatmirësisht u ndalën. Ajo që tha, veprimet e njëanshme e të pakoordinuara, të marra nga autoritetet, që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Ai nuk po i referohej operacionet apo veprimeve të Policisë për të luftuar korrupsionin apo kontrabandën. Po fliste në parim për atë që ndodhi, e që nuk është hera e parë, në veri të Kosovës. Ne e dimë të gjithë se situata, veçanërisht në këtë pjesë të Kosovës është shumë e ndjeshme. Çfarëdo që bëhet në këtë pjesë të territorit, është shumë e ndjeshme dhe duhet marrë parasysh kjo. Për këtë arsye po thoshim dje, siç thamë edhe dy apo tri javë më parë, kur kishte po ashtu tensione në këtë pjesë të Kosovës, çdo veprim i njëanshëm duhet evituar, në mënyrë që të mos ndizet konfrontimi potencial e të rriten tensionet. Është e kundërta e asaj që po duam të bëjmë”, ka thënë Stano në konferencë për media. “Duam të sigurohemi që problemet që janë në terren, e lidhen me veri të Kosovës e me çështje tjera më të gjera mes Kosovës e Serbisë, duhet të merren në mënyrë të koordinuar e duhet të përdoret dialogu për t’u marrë me këto. Ky ishte në esencë mesazhi i Përfaqësuesit të Lartë”.