Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe pesë persona tjerë, lidhur me operacionin e realizuar në Prishtinë, Pejë, në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut. Kështu numri i personave të kërkuar nga policia për kontrabandë ka shkuar në 10.
“Edhe pas arrestimit të tetë personave të dyshuar, kanë vazhduar hetimet intensive drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të tjerë që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave. Hetimet intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, janë realizuar nën autorizimin e prokurorisë kompetente, e që kanë rezultuar deri më tani me identifikimin e (5) personave të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim”, njofton policia.
Kushdo që ka informacione për vendndodhjen e personave të kërkuar më lartë, policia apelon të lajmërohen në numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, “të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thotë policia.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.