Abdulla Mehmeti: Zgjedhjet lokale dhe realiteti i përmbysur

(Votuesit nuk janë të vetëdijshëm se, pavarësisht nëse garojnë me një kalë shale apo me një gomar, kjo ka pak rëndësi nëse nuk e njohin vendin dhe rrethanat ku zhvillohet gara, në një hapësirë me pengesa, apo në një hapësirë të lirë.)

Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoninë Veriore nuk duhet t’i preokupojë shumë se kush do të largohet nga pushteti dhe kush do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit të këtij viti, as cila parti apo koalicion do të arrijë të fitojë më shumë vota, më tepër këshilltarë apo kryetarë të komunave, duke e bindur elektoratin se programi i tyre është më i mirë dhe shpresëdhënës për të ardhmen e banorëve në komunat e caktuara, sidomos në ato me shumicë të banorëve shqiptarë.

 

Shqiptarët në këtë shtet, sot duhet t’i shqetësojë fakti se, asnjëra nga partitë dhe koalicionet pjesëmarrëse në këto zgjedhje nuk thanë asgjë të rëndësishme në lidhje me vlerat e mirëfillta demokratike, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe tejkalimin e problemeve më të rëndësishme, të cilat e kanë shndërruar pushtetin lokal në instrument të pushtetit qendror, për realizimin e politikave të veta strategjike dhe afatgjata, përmes të cilave është ngulfatur fryma demokratike, vullneti politik i qytetarëve, perspektiva dhe progresi në pushtetin lokal, sidomos në disa komuna dhe rajone ekonomike e zhvillimore të vendit.

 

  1. Askush nuk tha asgjë të rëndësishme, pse lista e përgjithshme e votuesve edhe në këto zgjedhje mbeti e njëjtë, e papastruar nga votuesit fiktivë.

 

  1. Askush nuk tha, pse ligjet mbi pushtetin lokal janë diskriminuese dhe nuk mundësojnë zhvillim normal të komunave, duke i mbajtur ato nën kontroll absolut të pushtetit qendror.

 

  1. Askush nuk tha, pse edhe më tej pengohet decentralizimi i pushtetit, me këtë edhe zhvillimi i barabartë i komunave sipas karakteristikave të veçanta ekonomike, gjeografike, demografike, potencialit njerëzor dhe resurseve, si dhe shpërndarjen e barabartë të buxhetit sipas numrit të banorëve dhe nevojave reale të tyre në këto komuna.

 

  1. Askush nuk tha, pse ende nuk ndryshohet Kodi zgjedhor sipas standardeve ndërkombëtare, për sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, që të votojnë për kandidatët më të aftë e të merituar (përmes listave të hapura), jo të votojnë për listat e partive politike dhe koalicionet e tyre, ku më tepër ka ushtarë partiakë, shumica e tyre në lidhje familjare dhe biznesi me oligarkët e pushtetit qendror.

 

  1. Askush nuk tha, pse me këto ligje për pushtetin lokal dhe politikat e pushtetit qendror, pamundësohet eliminimi i diskriminimit të hapur mbi rajonet dhe komunat ku kryesisht banojnë shqiptarët.

 

  1. Askush nuk tha, se ndarja territoriale aktuale sipas komunave dhe rajoneve ekonomike e zhvillimore është tepër diskriminuese dhe pamundëson zhvillimin e barabartë të komunave dhe rajoneve në vend.

 

  1. Askush nuk tha, se në 10% të territorit të shtetit jetojnë mbi gjysma e banorëve të këtij shteti (Rajoni i Shkupit dhe Rajoni i Pollogut), ku kryesisht jetojnë shqiptarët, ndërsa gjysma tjetër në 90% të këtij territori.

 

  1. Askush nuk ka tha, pse shumica e komunave me banorë joshqiptarë kanë mesatarisht nga 5 mijë banorë, ndërsa komunat me shumicë të banorëve shqiptarë kanë mesatarisht mbi 20 mijë banorë, etj.

 

Si përfundim, për ata që kanë pak njohuri për organizimin e pushtetit, vlerat e demokracisë dhe konceptin e shtetit ligjor, e gjithë fushata e shtrenjtë zgjedhore e partive politike dhe koalicioneve të tyre mund të vlerësohet si një fushatë e hapur propagande për mashtrimin e qytetarëve edhe për një mandat të radhës, pa lënë as shpresat më të vogla se mund të ndryshohet diçka në të mirën e qytetarëve, të demokracisë dhe të shtetit, të komunave dhe banorëve të tyre.

 

Nuk ka vepër më të ligë kundër njerëzimit se sa mashtrimi i banorëve të një vendi përmes votës së tyre të lirë, vetëm për t’i realizuar interesat e një grupi oligarkësh në pushtet, të cilët edhe ashtu e kanë sjellë shtetin në gjendje të mjerueshme dhe përditë e më tepër e vrasin shpresën e qytetarëve se një ditë mund të bëhet më mirë në këtë vend.

 

Kur banorët e një vendi e kërkojnë shpëtimin e tyre në botën e jashtme, në shtete të huaja, për shkak të papunësisë, varfërisë, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës për mbijetesë, ndërsa vendin e tyre, përmes votës së vjedhur e të manipuluar e varrosin gjithnjë e më thellë, ashtu siç nuk kanë arritur ta bëjnë as pushtuesit e huaj dhe okupatorët më të egër gjatë historisë.