Situata në Veri – Borell i ashpër me Kosovën

Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, pasi Policia atje zhvilloi një aksion kundër kontrabandës.

Borrell tha se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë, teksa ka konsideruar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.

Më tutje, Borrell tha se të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet që të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka thënë ai.

Operacioni policor kundër kontrabandës i realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, ka kaluar me tensione. Policia ka njoftuar për bllokim të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare.

Prandaj, si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani policia ka konfirmuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 5 zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe 1 i nacionalitetit serb.

“Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, njofton tutje policia.

Ndërsa, aksioni i sotëm ka vënë në pranga 8 persona.