Luftanijet ruse me spektakël raketor pranë Japonisë

Luftanijet Ruse të mërkurën dhanë një shfaqje force me raketa në Detin e Japonisë, pasi kryeministri i ri ka shpallur ambicien mbi një grup ishujsh të pretenduar nga Moska.

Fregata ruse Varyag, mori pjesë në manovrat e zjarrit së bashku me raketë-lëshuesen Admiral Tributs dhe 12 mjete mbështetëse.

Manovrat në atë që konsiderohet si “zona detare ekonomike” e Japonisë janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar, por mediat vendase, raportuan se ishte një “urim mirëseardhje” për kryeministrin japonez Fumio Kishida, i cili u betua javën që shkoi.

Ky zhvillim ka ardhur pas pretendimit të kryeministrit japonez se një pjesë e ishujve Kuril, që ndajnë detin Okotsk nga Oqeani Paqësor, në brigjet ruse të Lindjes së Largët i takojnë Japonisë.

Ndërsa foli sot në parlamentin japonez, Kishida u zotua të zgjidhë kontestimet e ishujve, që datojnë prej Luftës së II Botërore.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë ruse Dimitry Peskov, refuzoi pretendimet duke i quajtur ishujt “territor rus”.

Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes tha se në manovra Varyag kishte lëshuar 10 raketa kundër objektivave ajrore, me tre sistemet e saj lëshuese të njohur si Fort, Klinok e Osa.

Pamjet e publikuara të manovrave tregonin fregatën Varyag që qëllonte me mitraloz AK-630 dhe një top të rëndë artilerie të montuar në kuvertë, raporton Top Channel.

Dy vendet janë në bisedime për ishujt Kuril, që janë një arkipelag vullkanik i zgjatur prej brigjeve japoneze, deri pranë provincës ruse Kamchatka.

Historikisht, pronësia e ishujve ka qenë e përbashkët mes perandorisë ruse dhe asaj japoneze, sipas traktatit të Shimoda në 1855, shkruan Daily Mail.

Traktati i jep Japonisë kontrollin e katër ishujve jugorë dhe pjesën tjetër ia lë Rusisë.

Por në fund të Luftës së II Botërore sovjetikët morën kontrollin e ishujve, duke refuzuar pretendimet japoneze.

Kryeministri Kishida u tha sot ministrave se kjo është një çështje që duhet zgjidhur për t’mos ua lënë gjeneratave të ardhshme.

“Vendi ynë përfshin edhe territoret veriore, kjo çështje duhet zgjidhur dhe jo t’u lihet gjeneratave të ardhshme”, tha ai.