Osmani mesazh shteteve që s`e kanë njohur Kosovën: Propaganda e Serbisë i ka rrënjët tek mendësia Millosheviqiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se Serbia po vazhdon ta shtrembërojë të vërtetën për shtetin e Kosovës.

Osmani thotë se Serbia së fundi po e keqpërdor statusin e vendit vëzhgues në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara (NAM).

“Serbia po vazhdon përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës me narrative e argumente të falsifikuara. Së fundi, në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara (NAM), që po mbahet në Beograd, Serbia sërish po e keqpërdor statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës”, u shpreh Osmani në Facebook.

Presidentija me këtë rast rikujtoi se nën udhëheqjen e kasapit Sllobodan Millosheviq, Serbia ka shkaktuar shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, duke shkaktuar gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, si dhe duke shkelur në mënyrë flagrante parimet themelore të NAM-it.

“Si vend kolonizues, me politika destabilizuese, me mohim të gjenocidit të kryer ndaj civilëve të pafajshëm e me veprime që çdo ditë bien ndesh me përpjekjet për paqe e stabilitet në rajonin tonë, Serbia dëshmon se është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar NAM”, shprehet ajo.

Presidentja tregon se Pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të NAM-it.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Prandaj ftoj të gjitha shtetet e NAM që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i GJND-së dhe jo nga propaganda e Serbisë e cila rrënjët i ka tek mendësia Millosheviqiane”, thekson Osmani.

Sipas Presidentes, për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera.

“Republika e Kosovës e vlerëson mbështetjen, të cilën ia kanë dhënë disa vende të NAM-it, në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë”, përfundoi ajo.