Libani është zhytur në errësirë pas një ndërprerje të energjisë që pritet të zgjasë për disa ditë.
Rrjeti kombëtar u mbyll plotësisht pasi të dy stacionet kryesore të energjisë mbaruan karburantin, sipas raporteve.
Stacionet e energjisë al Zahrani dhe Deir Ammar ndaluan punën pasi furnizimet me naftë ishin shteruar dhe prodhimi i energjisë ra nën 200 megavat (që është e mjaftueshme vetëm për të furnizuar afërsisht pesë mijë shtëpi).
Një zyrtar qeveritar tha se ndërprerja mund të zgjasë gjatë gjithë fundjavës, duke e lënë popullsinë prej rreth gjashtë milionë njerëz në errësirë të plotë.
Ndërprerjet kanë qenë një problem në Liban që nga përfundimi i luftës 15 vjeçare civile më 1990, dhe vendi i vogël mbështetet shumë në karburantet e importuara.
Shumë qytetarë mbështeten në gjeneratorët privatë që punojnë me naftë, megjithëse kjo është gjithashtu në mungesë.
Ndërprerje të energjisë kishte gjatë gjithë shtatorit për shkak të mungesës së karburantit e cila në muajt e fundit ka detyruar shumë biznese të mbyllen dhe i ka lënë njerëzit të mbështeten në tregun e zi.
Në gusht, të paktën 20 persona u vranë pasi një tank shpërtheu në një magazinë në Libanin verior, ku karburanti ishte depozituar ilegalisht.
Ndonjëherë, njerëzit kanë rënë në radhë për kilometra për të mbushur makinat e tyre, shpesh duke rezultuar në skena kaotike të mbushura me dhunë.
Kjo është pjesë e një krize më të gjerë ekonomike dhe politike që prek të gjitha aspektet e jetës së përditshme në Liban.
OKB vlerëson se 78 përqind e popullsisë jeton në varfëri, raporton Metro.
Monedha e vendit është shembur dhe papunësia dhe inflacioni po rriten mes pakënaqësisë së madhe ndaj një sistemi politik të akuzuar prej kohësh për neglizhencë dhe korrupsion.
Libani mbetet në trazira politike pasi u krijua një qeveri e përkohshme pas shpërthimit katastrofik në kryeqytetin Bejrut që vrau më shumë se 150 njerëz dhe shkatërroi pjesë të mëdha të qytetit gushtin e kaluar.
Shpërthimi ndodhi pasi 2.750 tonë nitrat amoni u përfshi nga zjarri pasi u ruajt në mënyrë të pasigurt në një magazinë porti.