Në prani të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, pronarëve të kompanive donatore “Eftinia Impex” dhe “Tempo profili”, mësimdhënësve dhe prindërve të nxënësve, sot kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu vizitoi pjesën e shtuar të Shkollës fillore “Ismail Qemali” në Çair, 8 klasat e reja dhe hapësirat ndihmëse prej 580 metrash katrorë.
Zgjerimi i kapaciteteve të këtij objekti bëhet në kuadër të zhvillimit më të mirë dhe mbarëvajtjes së mësimit shkollor, tha Ganiu, duke theksuar se filloristët kanë kushte ideale për mësim.
“Ofrimi i kushteve moderne dhe bashkëkohore të edukimit dhe arsimimit është e drejtë themelore njerëzore dhe standard qytetërimor për t’i mundësuar gjeneratave të reja, bagazhin e duhur intelektual dhe shkathtësi të caktuara që ata të jenë të përgatitur në garën e madhe globale të shkencës dhe teknologjisë”, deklaroi Ganiu para të pranishmëve.
Ganiu tha se ky investim është edhe një premtim i plotësuar, i realizuar përmes partneritetit publiko-privat.
“Ashtu siç jemi zotuar më herët, kemi bërë zgjerimin e kapaciteteve të Shkollës Fillore KOmunale “Ismail Qemali” ku kemi ndërtuar 580m2 hapësirë shkollore në total, gjegjësisht, dy kate me nga 290m2 përfshirë edhe tualetet.
Ky zgjerim do t’i mundësojë kësaj shkolle, kaq të frekuentuar, një frymëmarrje më të lirshme dhe shpërndarje më të mirë të nxënësve nëpër klasa. Klasat janë ndërtuar prej një cilësie të lartë dhe përkitazi me standardet moderne të projektimit dhe ndërtimit”, tha kandidati për mandatin e ri për kryetar komune, Visar Ganiu.
Ganiu tha se përpos që kjo shkollë mban emrin e burrështetasit që vendosi themelet e shtetit shqiptar, në këtë shkollë po ashtu kanë ligjëruar mësues e mësuese të cilët sot mbartin procese dhe përgjegjësi të mëdha shoqërore, siç është znj. Sermine Purrini, e cila ka qenë mësuese në këtë shkollë, dhe sot është bartëse e listës së këshilltarëve për Komunën e Çairit.
Ganiu falënderoi për tërë këtë kontribut të madh arsimdashës kompanitë: “Eftinia Impex” dhe “Tempo Profili” të cilat janë shembull i kompanive me përgjegjësi shoqërore në Çair e më gjerë, ndërsa apeloi që edhe kompani tjera të ndjekin shembullin e tyre, që të kemi një komunë më të zhvilluar.
Ai tha se gjatë mandatit të ri do të përfundon ndërtimi i çerdhes në Teneqe-mahallë me vlerë 2 milionë euro, do të ndërton shkollën fillore në po këtë lagje me vlerë prej 3.5 milion euro, ndërtimin e një biblioteke dhe leximore në Sahat-kullë pranë ‘Isa begut’ me vlerë 850 mijë euro, si dhe ndërtimin e fushave të hapura dhe sallave sportive.